1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Qëndrimet ekstremiste të djathta në rënie

Naomi Conrad/Pandeli Pani5 Qershor 2014

Megjithë rënien e qëndrimeve ekstremiste të djathta mjaft e përhapur në mesin e gjermanëve është ksenofobia.

https://p.dw.com/p/1CCLe
Fotografi: picture-alliance/dpa

Idetë dhe mendimet ekstremiste të djathta janë sot në Gjermani më pak të përhapura se para dymbëdhjetë vjetësh. Ky është rezultati i studimit "Qendra e stabilizuar - qëndrimet ekstremiste të djathta në Gjermani në vitin 2014" të studiuesve të Universitetit të Lajpcigut. Sipas tij rreth 5.6 përqind e gjermanëve kanë të ngulitur ideologji ekstreme të djathta. Sipas Oliver Decker, njërit nga autorët e studimit krahasuar me vitin 2002, numri i tyre pothuajse është përgjysmuar.

Që nga viti 2002, studiuesit marrin në shqyrtim çdo dy vjet idetë dhe pozicionet ekstremiste të djathta në Gjermani. Pyetsorët përmbajnë pyetje për kategori të tilla si diktaturat autoritare të djathta, antisemitizmi ose trivializimi i nazizmit. Këtë vit në mbarë Gjermaninë u intervistuan rreth 2.500 vetë.

NPD-Demo zum 1. Mai
Fotografi: picture-alliance/dpa

Studiuesit konstatuan se mjaft e përhapur në mesin e të anketuarve është ksenofobia, të cilën sociologu Elmar Brähler e quan "drogën me të cilën fillon ekstremizimi i djathtë". Çdo i pesti gjerman është dakord me deklarata të tilla si "të huajt vijnë këtu vetëm për të përfituar nga shteti dhe mirëqënia." Megjithatë, vlera është nën 25 për qind, sa ishte në anketën e fundit në vitin 2012.

Situata ekonomike ul pakënaqësitë

Rënien e qëndrimeve ksenofobe studiuesit e lidhin me gjendjen e mirë ekonomike në Gjermani. Ekziston një lidhje e ngushtë mes zhvillimit ekonomik të një vendi dhe qëndrimeve ekstremiste të djathta, thekson bashkëautori i studimit sociologu Oliver Decker. Por në të njëjtën kohë grupe të caktuara sociale diskriminohen edhe më qartë. Kështu rreth gati gjysma e të intervistuarve shprehen kundër muslimanëve. Përveç kësaj, 73.5 për qind e gjermanëve në perëndim dhe 84.7 për qind e gjermano-lindorëve shprehen me përbuzje për azilkërkuesit. Gjithashtu pothuajse gjysma e të anketuarve janë shprehur edhe kundër sintëve dhe romëve.

USA Islam Proteste
Fotografi: picture-alliance/landov

Niveli i shkollimit dhe preferencat partiake

Qëndrimet ksenofobe janë më të përhapura në lindje se sa në perëndim të Gjermanisë. Këtë fakt sociologët e shpjegojnë me praninë më të pakët të hujave në landet lindore pra dhe me mungesën e kontakteve të drejtpërdrejta me të huajt. Po ashtu sipas sociologëve mjeti më i mirë për të luftuar qëndrimet ekstremiste të djathta është shkollimi. Sa më të shkolluar janë njerëzit aq më të pakta janë qëndrimet e tyre ksenofobe. Sipas studimit në radhët e njerëzve që kanë kryer maturën përqindja e atyre me qëndrime ksenofobe është 6.8 për qind, kurse në radhët e atyre që nuk kanë mbaruar shkollën e mesme niveli është 20.8 për qind.

Studimi gjithashtu tregon se pozicionet ekstreme të djathta vihen re tek përkrahësve e të gjitha partive politike. Megjithatë bie në sy se përveç partive ekstremiste të djathta partia Alternativë për Gjermaninë (AfD) tërheq numrin më të madh të votuesve me prirje ksenofobe, antisemite dhe shoviniste.