1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Shumë 6-vjeçarë kanë celular

9 Gusht 2017

Expertët e pedagogjisë rekomandojnë që fëmijëve t'u lejohet të kenë celularin e tyre vetëm nga mosha 9 vjeç e lart.

https://p.dw.com/p/2huIV
Kind mit Smartphone
Fotografi: picture-alliance/dpa

Thuajse një ndër katër fëmijë të moshës gjashtë vjeçare ka në Gjermani telefonin e vet celular, kurse ndër 13-vjeçarët thuajse çdo fëmijë ka celular. Ky është përfundimi i një studimi në lidhje me mediet që konsumojnë fëmijët.  Sipas studimit fëmijët përdorin oferta të ndryshme mediatike. Në vendin e parë renditet televizori. Pothuajse të gjithë fëmijët shohin disa herë në javë emisione televizive. Në vendin e dytë renditet dëgjimi i muzikës, i ndjekur nga leximi i librave dhe i revistave, lojërat digjitale dhe emisionet e radios. Por sa më tepër rriten aq më tepër fëmijët përdorin sipas studimit mediat digjitale.

Celular nga mosha 9-vjeçare

Expertët e pedagogjisë rekomandojnë që fëmijëve t'u lejohet që të kenë një celular të vetin, vetëm nga mosha 9  vjeç e lart. Kirstin Langer thotë që fëmijët mësojnë shumë shpejt ta përdorin celularin, por ata nuk janë në gjendje që të marrin në konsideratë të gjitha gjërat që lidhen me përdorimin e celularëve. P.sh. fëmijët nën moshën 9  vjeç nuk janë në gjendje që ta përfytyrojnë se sa mund të shkojnë shpenzimet për përdorimin e celularit.

Mutter Tochter und Smartphone
Fotografi: picture-alliance/PhotoAlto/F. Cirou

Vetëm nga mosha 11 deri 13  vjeç fëmijët janë në gjendje që të kuptojnë në tërësi se sa gjëra lidhen me përdorimin e celularëve. E rëndësishme është që atyre t'u bëhet e qartë se kush mund t'i lexojë postimet e tyre në facebook dhe ç'probleme mund të lidhen me to.

Jo ndalim, por shpjegim

Ekspertët rekomandojnë që prindërit të përdorin apps që kanë të bëjnë me mbrotjen e fëmijëve. Për shembull ka programe që nisur nga fjalët që kërkohen ose nga mosha që kanë dhënë fëmijët, i bllokojnë faqe të caktuara apo i seleksionojnë ato në përgjigje të moshës.    

Sipas ekspertëve prindërit nuk duhet t'u ndalojnë fëmijëve përdorimin e celularëve, por t'u shpjegojnë se interneti është një burim i mirë informacionesh, por se jo të gjitha ato që gjenden në internet janë të përshtatshme për fëmijët.