Gjermania akuzon gardianin nazist për bashkëpunim në vrasje
2 Shtator 2023Një burrë 98-vjeçar është akuzuar për bashkëpunim në vrasje si pjesëmarrës në vrasjen e më shumë se 3300 vetëve në një kamp përqendrimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, njoftuan autoritetet gjermane të premten.
Gjermani ishte adoleshent kur punoi si roje SS në kampin e përqendrimit Sachsenhausen midis korrikut 1943 dhe shkurtit 1945.
Prokurorët parashtruan se personi i akuzuar ka "mbështetur ekzekutimin mizor dhe keqdashës të mijëra të burgosurve si anëtar i gardës SS " gjatë kësaj periudhe.
Ndjekja e nazistëve të mbijetuar
Një vlerësim psikiatrik arriti në përfundimin se 98-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte i aftë për t'u gjykuar.
Megjithatë, duke pasur parasysh moshën e tij të re në kohën e akuzave kundër tij, një gjykatë e të rinjve në Hanau është ajo që do të vendosë nëse do të hapet apo jo proces gjyqësor.
Kampi i Përqendrimit Sachsenhausen ndodhej në veri të Berlinit. Në fillim, nazistët dërguan në kamp kundërshtarë politikë si komunistë, socialdemokratë, politikanë liberalë dhe konservatorë. Më vonë, ata u ndoqën nga anëtarë të grupeve të tjera të persekutuar nga fashistët: hebrenj, ciganë, homoseksualë.
Ekspertët vlerësojnë se aty u vranë nga 40.000 deri në 50.000 të burgosur: nga uria, sëmundjet, puna e detyruar, eksperimentet mjekësore dhe keqtrajtimi. Duke filluar nga tetori 1941, në Sachsenhausen filluan në një objekt ekzekutimi të ndërtuar posaçërisht, ekzekutimet masive të të burgosurve sovjetikë të luftës.
Një tjetër roje e kampit të përqendrimit u dënua në vitin 2022
Dënimi i fundit, në qershor 2022, ishte ai i një ish-roje të kampit të përqendrimit që punonte në Sachsenhausen, i cili u dënua me pesë vjet burg. "Përmes aktivitetit tuaj ju e mbështetët me dëshirë këtë shfarosje masive”, tha në atë kohë kryetari i trupit gjykues.
I akuzuari megjithatë vdiq në liri në prill: 102-vjeçari kishte apeluar vendimin e dhënë kundër tij. Gjykata Federale e Drejtësisë nuk kishte vendosur deri në vdekjen e tij.
Dënimi i ish-gardianit nazist, John Demjanjuk në vitin 2011 vendosi një precedent në ligjin gjerman, duke lejuar që të tjerët të ndiqen penalisht për veprimet e tyre gjatë Holokaustit.
Që atëherë, në Gjermani janë ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore kundër personelit të mbijetuar të SS-ve.
Por për shkak të moshës së madhe të të pandehurve, shumë prej këtyre gjykimeve u desh të anulohen për arsye shëndetësore.
Dënimet jo gjithmonë rezultojnë me burgosje. Disa të pandehur kanë vdekur para se të fillojnë të vuajnë dënimin.
aud (dw, dpa)