Gjermania dënon sulmet terroriste në Egjipt
23 Korrik 2005Kancelari gjerman Gerhard Shrëder kumtoi në Berlin se të gjithë duhet të angazhohen në parandalimin e përhapjes së një "kulture të dhunës". Shrëder e quajti të domosdoshëm bashkëpunimin edhe më të ngushtë ndërkombëtar, me qëllim shkatërrimin e rrjeteve gjithnjë e më të rrezikshme terroriste.
Kancelari gjerman i ka shprehur ngushëllim të gjitha familjeve të viktimave. Edhe në Egjipt viktimë ishin njerëzit e pafajëshëm dhe turistë të huaj. Ndërkohë të plagosurit gjermanë në këtë vend janë trajtuar nga përfaqësues të ambasadës dhe pjestarë të familjeve të tyre.
Ka reaguar edhe ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher, i cili kumtoi se ambasada gjermane në Kairo ka krijuar një shtab emergjence, ndërkohë që në Sharm el Sheik ka dërguar një ekip të posacëm. Ndërsa në Berlin është përforcuar seksioni i informacioneve në rastet e krizave. Ata janë në kontakte të përherëshme me përfaqësues të organizatave turistike, të cilat kanë ofruar ndihmat e tyre për turistët që janë në Egjipt.
Presidenti gjerman Horst Këhler i ka dërguar telegram homologut të tij egjiptian Hosni Mubarak, ku shpreh ngushëllimet e tija për viktimat e këtyre sulmeve. Këhler angazhohet për ruajtjen e paqës, lirisë dhe tolerancës. Urrejtja e terroristëve nuk mund të justifikohet me asgjë. Ajo ka qëlluar të gjithë, pa dallim përkatësinë komëtare dhe fenë: egjiptianët, myslimanët, të krishterët dhe hebrenjët, pohon presidenti gjerman.