Shkallëzim i situatës po të dështojë marrëveshja atomike
7 Maj 2018"Ne jemi absolutisht të vendosur që ta shpëtojmë këtë marrëveshje", tha ministri i Jashtëm i Francës Jean-Yves Le Drian në një takim në Berlin me homologun e tij Heiko Maas (SPD). Maas tha: "Ne druhemi se një dështim do të bëjë që situata të shkallëzohet dhe se do të ktheheshim në kohën para vitit 2013".
Maas dhe Le Drian thanë se pavarësisht nga SHBA duan t'i përmbahen marrëveshjes. "Ne nuk shohim ndonjë alternativë të vërtetë përveç mekanizmave të kontrollit dhe kufizimeve të programit atomik iranian". Në konstelacionin evropian të dyja vendet kanë hartuar propozime të mira për partnerin amerikan, u tha.
Të dy ministrat theksuan bashkëpunimin e ngushtë me homologun britanik Boris Johnson, i cili këtë të hënë u nis për bisedime për marrëveshjen në Uashington. Para nisjes së udhëtimit, Johnson shkroi një koment si i ftuar për gazetën "New York Times": "Për të garantuar, që Irani nuk do të ketë asnjëherë një armë atomike, ky pakt ofron ndër të gjitha opsionet atë me më pak disfavore". Kursi më i mençur është që prangat për Iranin të përsosen, në vend që të shkatërrohen, shkroi Johnson.
Irani sinjalizon rezistencë të ashpër
Data 12 maj është dita në të cilën Trumpi duhet të bëjë të ditur nëse sanksionet e SHBA kundër Iranit do të mbeten të shfuqizuara. Po të vendosë që t'i rimarrë masat ndëshkimore, SHBA faktikisht do ta braktisin marrëveshjen.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani tha të hënën në një fjalim në televizion se vendi i tij ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk synon të ndërtojë një bombë atomike dhe se nuk do ta synojë këtë as në të ardhmen. Por nëse SHBA do të përpiqen që "ta dobësojnë Iranin dhe nëse përpiqen ta dobësojnë ndikimin e tij në rajon ose në të gjithë botën, atëherë Irani do të bëjë rezistencë të ashpër", tha Rohani.
Kontrollorët e IAEA kanë raportuar disa herë se Irani i përmbahet marrëveshjes. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nga ana tjetër prezantoi përfundime të shërbimit të tij të fshehtë, që supozohet të konfirmojnë ekzistencën e një programi të fshehtë atomik iranian. Koha e publikimit pak para datës së sanksioneve mendohet se u zgjodh qëllimisht nga Netanjahu, që ka miqësi me Trumpin.