150910 Kindergarten bilingual
16 Shtator 2010Në kopshtin e fëmijëve „Peshku i kuq“ është koha për lojën e pasdites. Të vegjëlit dalin jashtë gjithë gëzim dhe zhurmë: Një grup luan me tullumbace, një tjetër bën lisharëse, ca fëmijë të tjerë sillen me biçikleta nëpër oborr. Michellè-a e vogël e shfrytëzon kohën për të treguar. Në fillim i flet edukatores gjermanishtfolëse për ballëzën e re dyrrotëshe; pastaj flet me edukatoren rusishtfolëse për një film të ri multiplikativ.
Goldfisch - Zolotaja rybka - Peshku i kuq
Michellè-a ndërron pa vështirësi nga gjermanishtja në rusisht dhe anasjelltas. Këtë ajo e mëson në kopshtin e fëmijëve „Peshku i kuq“ (gjermanisht: Goldfisch, rusisht: „Zolotaja rybka“), në të cilin shkon prej disa muajsh. Dygjuhësia është prioriteti kryesor i kopshtit dygjuhësh në lagjen e Këlnit Porz, thotë edukatorja rusishtfolëse Alina Treiger.
“Sistemi ynë është i tillë: për një grup fëmijësh kujdeset edukatorja gjermanishtfolëse dhe për tjetrin ajo rusishtfolëse. Secila prej tyre duhet ta ketë gjuhën që flet gjuhë amtare. Unë di edhe gjermanisht, por me fëmijët nuk flas këtë gjuhë, sepse detyra jonë është që t'ju mësojmë të vegjëlve rusishte dhe gjermanishte të mirë, pa gabime.”
Fëmijë nga familje emigrantësh
Kopshti i fëmijëve gjermano-rus „Peshku i kuq“ u themelua në shtator 2009. Në grupin e vogël 10 fëmijë deri në moshën 3 vjeç. Në grupin tjetër janë 24 filiza deri në moshën 6 vjeç. Shumica janë nga familje emigrantësh gjermanë etnikë, disa nga familje mërgimtarësh hebraikë dhe nga familje me prindër dygjuhësh. Konceptin për kopshtin e fëmijëve dygjuhësh gjermano-rus e ka hartuar shoqata pedagogjike ndërkulturore “Mitra”, tregon edukatorja gjermanishtfolëse Anika Schröder.
“Kjo lindi në 1993-in në Berlin nga prindër dhe pedagogë rusë. Ata themeluan një shoqatë nisme personale dhe prej saj u ngritën më pas kopshte fëmijësh. Ndërkohë ka shtatë kopshte fëmijësh. Pesë prej tyre janë në Berlin, njëri në Lajpcig dhe ne në Këln. Kjo shoqatë ka edhe dy shkolla fillore.“
Kopësht dhe shkolla
Shoqata ndjek synimin e ngritjes së urave për fëmijët nga familje migrantësh për të mësuar si gjuhën e tyre amtare ruse ashtu edhe gjuhën gjermane. Në kopshtet e fëmijëve normale dhe më vonë në shkollë fëmijët rusishtfolës e kanë shpesh shumë të vështirë të mësojnësepse nga shtëpia nuk zotërojnë asnjërën nga gjuhët siç duhet. Pikërisht këtu do të niste puna e „Mitra“-ës. Gjatë gjithë programit ditor fëmijët shoqërohen paralelisht nga dy edukatore.
Dëshira për t'i edukuar fëmijët e tyre në dy gjuhë është tek shumë prindër rusishtfolës në Këln aq e madhe saqë kopshti „Peshku i kuq“ s'di si t'ia bëjë me kërkesat për vende. Lista e pritjes sa vjen e zgjatet më shumë.
Autor: Nadja Baeva/ Elert Ajazaj
Redaktoi: Aida Cama