1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanë të përjashtuar nga e drejta e votës

22 Shtator 2017

E drejta e votimit është një prej të drejtave elementare për këdo dhe kjo garantohet edhe me kushtetutë. Por në Gjermani ka rreth 85.000 persona me aftësi të kufizuara që nuk kanë të drejtë vote.

https://p.dw.com/p/2kU0a
Symbolbild Wahlurne Bundestagswahl
Fotografi: picture-alliance/Eibner-Pressefoto

Julian Peters i analizon me vëmendje kandidatet e partive gjermane. Ai i njeh ata, sepse interesohet për politikën dhe zgjedhjet. Ai thotë se në këtë pllakatë zgjedhore, Christian Lindner, kryetari i Partisë Liberale FDP, duket më mirë se në të tjerat.

29-vjeçari ka kriteret e veta për të vlerësuar kandidatët dhe ai nuk gjykon vetëm nga pamja por dhe nga programet e partive të tyre. Megjithatë meqënëse Juliani është me sindromën down dhe ligjërisht për të gjitha çështjet nën kujdestarinë e prindërve, ai është i përjashtuar nga zgjedhjet për Bundestagun.

Ai nuk është dakord me këtë dhe prandaj do t'u thotë politikanëve në zonën e tij elektorale në Viersen mendimin e tij. Për këtë ai ka ftuar në shtëpinë e tij deputetin e CDU-së, Uwe Schummer, që kandidon për Bundestagun. Juliani dhe i ati mendojnë se përjashtimi nga e drejta e votës është i padrejtë.

Fokus Europa Deutschland Wahlplakat FDP
Julian Peters përpara pllakatës zgjedhore me Christian Lindner, kryetar i Partisë Liberale FDPFotografi: DW

Babai i Julianit, Ludger Peters nuk e pranon që i biri të përjashtohet nga e drejta e votës. Ai vërtet ka nevojë për mbështetje për disa gjëra, por pse nuk lejohet të votojë. Vota është e drejtë themelore e paprekshme dhe në shumicën e vendeve të BE-së e vetkuptueshme. Pse jo në Gjermani?

Vota e drejtë themelore e paprekshme

Koalicioni i madh nuk arriti të binte dakord për këtë, sepse kundërshtaret mendojnë se njerëzit me aftësi të kufizuara mund të ndikohen më lehtë dhe nuk janë në gjendje të informohen me themel. Babai i Julianit medon se këto janë paragjykime. "Ai informohet vetë dhe sheh çdo mbrëmje emisionin qendror të lajmeve. Kur vjen ora 8 na kujton madje edhe ne. Atij i pëlqejnë komeditë politike në TV dhe i sheh me shumë dëshirë. Unë nuk e di nëse i kupton apo jo të gjitha, por nuk është e drejta ime që ta marr në pyetje për këtë." - thotë babai i Julianit, Ludger Peters.

Deutschland Symbolbild Wahlen Stimmabgabe Wahlbeteiligung
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Endig

Me përjashtimin e njerëzve me aftësi të kufizuara nga e drejta e votës Gjermania shkel konventën përkatëse të OKB-së, të cilën e ka ratifikuar. Sipas kësaj konvente njerëzit me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të marrin pjesë në të gjithë jetën publike. Juliani e di këtë dhe do që Gjermania ta ndryshojë ligjin prandaj i drejtohet për këtë edhe deputetit të SPD-së Udo Schiefner. "Ne jemi shumë pas në këtë drejtim, sepse politika ka vite që nuk është marrë me këtë temë. Po ne duhet të kujdesemi sa më shpejt që njerëz si Juliani të kenë të drejtë të votojnë." - thotë Udo Schiefner.

Shumë familje, si familja Peters, kanë ngritur padi pranë Gjykatës Kushtetuese për të fituar të drejtën e votës për personat me aftësi të kufizuara, sepse politika nuk po merr dot vendim për këtë çështje.