1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanët dhe Banka Qendrore Evropiane

Zhan Danhong24 Maj 2016

Politikanë gjermanë, por edhe përfaqësues të botës së financave bëjnë pjesë në kritikët më të ashpër të politikës financiare të Mario Draghit. Por kohët e fundit janë dëgjuar tone më pajtuese. Çfarë ka ndodhur?

https://p.dw.com/p/1ItHU
Mario Draghi EZB PK Frankfurt am Main
Fotografi: picture-alliance/dpa/A.Dedert

"Jo të gjithë gjermanët i besojnë Zotit, por të gjithë i besojnë Bundesbank-ës", tha dikur Presidenti i Komisionit Evropian, Jasques Delors. Gjermanët vlerësojnë para së gjithash pavarësinë e bankës së tyre qendrore dhe ngulën këmbë që një Bankë Qendrore Evropiane të konceptohej në mënyrë të ngjashme. Kështu edhe u bë. Në bazë të statutit të saj, Banka Qendrore Evropiane është po aq e pavarur sa Banka Federale gjermane dhe ka po të njëjtin mandat për të ruajtur stabilitetin e vlerës së parave.

"Këtë mandat Banka Qendrore Evropiane ka kohë që e ka braktisur, sepse Bankat qendrore sot ndihen kompetente edhe për politikën e përgjithshme ekonomike dhe pë rritjen ekonomike", i thotë investuesi i njohur dhe shkencëtari Max Otte Deutsche Welles. Për të nxitur zhvillimin e ekonomisë në eurozonë, Banka Qendrore Evropiane i përdor të gjitha mjetet. Kështu në mars ajo e uli interesin primar në zero dhe e rriti interesin penalizues për paratë e parkuara të Banka Qendrore së fundi në 0,4 përqind. Krahas kësaj, ende vazhdon programi i blerjes së huave në shumën 1,7 bilionë euro.

Gjermania veçanërisht e prekur

Nga kjo politikë tepër liberale financiare Gjermania preket veçanërisht, mendon Max Otte: "Gjermanët shpronësohen si kursimtarë, sepse gati 80 përqind e pasurisë financiare gjermane janë para të mbyllura deri në një datë të caktuar ose sigurime të jetës. Bankat Popullore si dhe Arkat e Kursimeve do të kenë probleme, sepse nuk fitojnë thuajse më fare me biznesin e kredive".

Nuk është për t'u çuditur që kritikët më të ashpër të politikës së BQE si dhe Presidentit të saj, Mario Draghi janë nga Gjermania. Këtu bëjnë pjesë përfaqësues të Shoqatës së Arkave të Kursimit, Shefi i Bankës Federale Gjermane, Jens Weidmann dhe ministri i Financave, Wolfgang Schäuble. Megjithëse Schäuble, në sajë të Draghit ka mundësinë që të paguajë më pak para se asnjëherë më parë kur merr borxh, ai sheh në politikën e interesit bankar zero një terren që ushqen populizmin e djathtë.

Max Otte
Max OtteFotografi: picture-alliance/dpa

Fjalë të buta për arsye taktike

Kjo kritikë peshon kaq rëndë, sa edhe Jens Weidmann e pa të nevojshme që të hidhet në mbështetje të kolegut të tij. "Nuk është e pazakontë, që politikanët kanë mendimin e tyre për politikën financiare", i tha Presidenti i Bankës Federale, Bundesbank gazetës "Financial Times" dhe theksoi njëkohësisht se Banka Qendrore ishte e pavarur.

Me të vërtetë, mendime për politikën financiare ka jo vetëm ministri gjerman i Financave, por edhe Kancelarja Gjermane. Në një aktivitet në Leipzig, së fundi ajo e mori në mbrojtje Mario Draghin: Banka Qendrore ka si detyrë të ruajë edhe stabilitetin e vlerës së parave, dhe këtu bën pjesë edhe një shkallë inflacioni e ulët."

Kaq shumë mirëkuptim për italianin është dëgjuar rrallë nga Gjermania. Çfarë ka ndodhur? Sipas personave të brendshëm, politikanë kryesorë gjermanë dhe ruajtës të monedhës nga Gjermania duan ta mashtrojnë shefin e BQE, për ta nxjerrë në fund nga kursi që po ndjek. Pa marrë ende fund programi i blerjes së huave në mars 2017, ata duan ta bindin Këshillin e BQE që të mos e zgjasë më tej programin.

E parë në tërësi, kjo politikë e interesave të ulëta bankare është një katastrofë për Gjermaninë, thotë Max Otte. Jo vetëm për Gjermaninë. "Paraja e lirë na futi në kolapsin e bursës, tani ne po bëjmë edhe më shumë para të lirë. Kjo nuk mund të dalë për mirë." Për mendimin e tij, ne na pret një ekonomi e detyruar, ndalimi i parave të thata në dorë dhe një organizim i ri i sistemit monetar."