Gjermanët para alternativës: ose armët ose marihuanën
1 Shkurt 2018Një gjykatë në Bavari hodhi poshtë të mërkurën apelin e një gjahtari gjerman, që synonte të rifitonte të drejtën për të mbajtur armë me leje. Kjo megjithëse ai kishte qenë për një kohë të gjatë konsumues i marihuanës mjekësore.
Sipas gjykatësit, pronarët e armëve duhet të jenë të aftë që t'i përdorin armët dhe municionin me kujdes në të gjitha kohët. Konsumimi i kanabisit, edhe sipas recetës së dhënë nga doktori, e ul aftësinë e personit për të vepruar me armën, tha gjykatësi.
Ky vendim krijon një rast precedent. Shumë gjermanë tani do të jenë të detyruar që të zgjedhin midis pranimit të trajtimit me kanabis mjekësor dhe zotërimit të një leje për armëmbajtje.
Administrata e distriktit në Miesbach, e cila ishte e para që ia hoqi lejen për armëmbajtje dhe për gjah personit, tha në një deklaratë të posaçme se kishte ndjekur mendimin e ekspertëve. Sipas ekspertëve, nuk mund të garantohet shëndeti mendor i një personi që konsumon rregullisht kanabis. Gjahtari pohoi se kishte konsumuar shumë herë kanabis.
Në mars 2017, qeveria gjermane e përjashtoi nga përndjekja penale përdorimin e kanabisit me recetë. U pranua përdorimi si një formë e trajtimit nga mjeku.