Gjuetia e gjigantëve të detit
Që prej vitit 1986 një moratorium ndalon gjuetinë e balenave për arsye komerciale. Por disa vende nuk e respektojnë atë, para së gjithash Japonia. Kjo duhet të marrë fund, vendosi Gjykata e OKB-së në Hagë.
Do të marrë fund së shpejti gjuetia e balenave?
Megjithëse gjuetia e gjitarëve të detit të kërcënuar nga zhdukja është e dënueshme që prej vitit 1986, gjuetarët norvegjezë, islandezë dhe japonezë të balenave, vazhdojnë të merren me këtë. Veçanërisht japonezët argumentojnë me hulumtimet shkencore. Megjithatë tani Japonisë, sipas një vendimi të gjykatës së OKB-së (31.03.2014), i duhet t'i japë fund gjuetisë së balenave në detin e Antarkikut.
Haga vendos në favor të balenave
20 vjet më radhë janë përpjekur australianët t'i japin fund me rrugë diplomatike programit japonez të gjuetisë së balenave. Pa sukses. Pas kësaj Australia paditi Japoninë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Procesi gjyqësor vazhdon që prej qershorit 2013; të hënën (31.03.2014) u shpall vendimi: Japonia duhet të ndërpresë programin e saj të kontestuar shkencor në detin e Antarktikut.
Specie të rrezikuara
Që prej ndalimit të gjuetisë në 1986, numri i kafshëve të shumë specieve është stabilizuar. Por balenat blu dhe disa specie të tjera vazhdojnë të jenë të rrezikuara dhe madje kërcënohen nga zhdukja. Balenat janë gjitarë dhe mund të bëhen deri 33 metra të gjata dhe me një peshë deri 190 tonë. Kjo i bën ato kafshët më të mëdha të Tokës.
Gjuetarët japonezë të balenave
Zyrtarisht gjuetia e balenave në Japoni i shërben shkencës, por mishi i kafshëve më vonë shitet në tregjet e peshkut dhe në restorante specialitetesh. Instituti japonez për studimin e balenave u themelua pikërisht një vit pas moratoriumit të komisionit ndërkombëtar për gjuetinë e balenave.
Traditë japoneze
Mishi i balenave prej kohësh përfundon në pjatat japoneze. Sidomos pak pas Luftës së Dytë Botërore popullsia japoneze kishte shumë nevojë për mishin e balenave. Shkollat dhe mensat e vlerësonin, pasi ishte më i lirë se mishi i lopës. Por shijet ndryshojnë: sot vetëm 1 për qind e mishit të konsumuar në Japoni vjen nga balenat.
Ushqim për qentë
7000 tonë mish balene gjenden në frigoriferë në Japoni. Meqenëse mishi i balenave nuk gjeti blerës, një firmë japoneze në fund e përpunoi atë si ushqim për qentë. Ndërkohë firma ka njoftuar se do ta nxjerrë këtë lloj ushqimi nga oferta e produkteve. Protestat e organizatave për mbrojtjen e kafshëve ishin shumë të mëdha.
Sfida e japonezëve
Megjithatë shumë japonezë e mbështesin gjuetinë e balenave dhe kritikojnë aksionet e mbrojtësve të ambientit, si Greenpeace, si terrorizëm ekologjik. Sipas tyre Japonia nuk duhet të dorëzohet para trysnisë ndërkombëtare. Shtetit kjo i kushton jo pak: gjatë 25 viteve të fundit gjuetia e balenave është subvencionuar çdo vit me rreth 6,3 milionë euro.
Jo rast i izoluar
Edhe Islanda dhe Norvegjia vazhdojnë të kryejnë gjueti balenash. Ato kanë ankimuar kundër moratoriumit dhe nuk shohin asnjë obligim prej tij.
Gjueti e lejuar balenash
Popujve indigjenë si çiukçëve, apo inuitëve në Kanada, u lejohen zyrtarisht gjuetia e balenave, sa kohë që nuk bëjnë tregti me produktet. Gjuetia e balenave tek ata është një traditë shekullore. Gjitarët e detrave u japin popujve indigjenë mish, vaj dhe kocka. Të gjitha shfrytëzohen.
Greenpeace dhe Sea Shepherd
Që gjuetia e balenave sot është e ndaluar, është edhe një meritë e organizatava ambientaliste. Dekada me radhë ato kanë tërhequr vëmendjen për gjuetinë e balenave me aksione spektakolare dhe kanë mobilizuar opinionin publik. Organizata Bariu i Detit (Sea Shepherd) është e njohur por edhe e kontestuar për veprimet e saj agresive në mbrojtje të gjigantëve të detit.
Whale watching
Shumë vende, që më parë kryenin gjueti balenash, sot kanë një burim të mirë të ardhurash nga turistët, që interesohen për gjigantët e detit. Disa vëzhgues të balenave në Japoni dhe Norvegji janë ish-gjuetarë balenash, të cilët njohuritë e tyre tani i ndajnë me turistët. Edhe në Japoni gjithnjë e më shumë njerëz preferojnë t'i shohin balenat më mirë të notojnë të lira, se sa në pjatat e gjellës.