1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjuha serbe nuk mund të studiohet në Prishtinë

Refki Alija / Angelina Verbica27 Korrik 2012

Edhe 3 vjet pas luftës në Kosovë në universitetin e Prishtinës (UP) nuk ka katedër të Ballkanistikës, ku të mësohen gjuhët serbe, boshnjake, maqedone dhe turke.

https://p.dw.com/p/15f2l
Fotografi: Zulfija Jakupi

Balkanistika - kështu u quajt vitin e kaluar kjo degë, që duhet të fillojë në Fakultetin e Filologjisë. Në dallim nga viti i kaluar, këtë vit nuk është shpallur as konkurs. Bajram Berisha, prorektor për mësimdhënie dhe kërkime shkencore në universitetin e Prishtinës, ka shpjegimin e vet për këtë, megjithëse profesor Osman Gashi, Dekan i Fakultetit të Filologjisë, dy muaj më parë ka thënë publikisht se këtë vit "është pothuajse e sigurtë se do të hapet kjo katedër" dhe kjo degë do të reklamojë pak më shumë " se si informacioni arrin publikun e gjerë."

Agjencia e Akreditimit vetëm për vitin e fundit akademik të studimeve ka akredituar katedrën për mësimin e gjuhëve të Ballkanit. Por në qoftë se ka interes, ne jemi gati për të biseduar edhe një herë me përfaqësuesit e agjencisë së përmendur dhe t'i kërkojmë që të na akreditojnë këtë degë si vitin e kaluar kur janë paraqitur vetëm dy. Për të hapur një degë në UP nevojiten të paktën dhjetë studentë. Realiteti është i tillë edhe pse ne jemi të hapur dhe të gatshëm për programe të reja", thotë Berisha.

Prorektori nuk ka shpjeguar se si udhëheqësit e universitetit e dinë se nuk ka interesim, kur ende vazhdon konkursi për afro10 mijë studentë të vitit të parë në të gjithë universitetin. Është e paqartë se si të lajmërohen të interesuarit, kur atyre nuk u është dhënë mundësia për ta bërë këtë?

Ansicht von Prishtina
Fotografi: Ajete Beqiraj

"Universitet etnikisht i pastër"

Berisha nuk beson se janë të nevojshme veprime shtesë për të hapur katedrën e balkanistikës. "Të gjitha degët në universitet janë të njëjta", thotë ai. "Çfarë marketingu? Universiteti kërkon akreditimin dhe shpall konkursin. Ne jemi të hapur. Ne kemi qenë të interesuar ta hapim këtë degë, siç është rasti në Greqi, Rumani dhe disa vende të tjera. Për këtë çështje kemi biseduar edhe me disa prej profesorëve potencialë nga Kosova dhe nga jashtë saj, të cilët kanë qenë të gatshëm për të punuar. Por studentë të interesuar, megjithatë, për këtë degë nuk ka patur", përfundon Berisha.

Zhivojin Rakocevic ka qenë deri në qershor të vitit 1999 profesor i letërsisë botërore në katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë serbe në universitetin e Prishtinës. Ai beson se e gjitha kjo pritej dhe se ai "kurrë nuk do të kishte dhënë mësim në këtë universitet të pastër etnikisht." "Ajo, që po bëhet tani, bëhet për të plotësuar ndonjë formalitet. Unë nuk do të kisha punuar në universitet, sepse nuk ka ndryshuar asgjë, sepse ky nuk është më qyteti im, sepse qytetin ma kanë marrë dhe ky nuk është fakulteti im i Filologjisë. Ky fakultet është vrarë, ky fakultet është zhdukur në spastrimin etnik dhe pikë", thotë Rakocevic.

Duhet hapur katedra për gjuhët ballkanike

Disa prej të rinjve kosovarë mendojnë se hapja e degës së ballkanistikës, e cila para luftës quhej sllavistikë, është e domosdoshme për disa arsye. "Kjo katedër duhet hapur. Përderisa në Kosovë jetojnë përfaqësues edhe të komuniteteve të tjera, por edhe ata shqiptarë, të cilët dëshirojnë të studiojnë gjuhët sllave, u duhet dhënë kjo mundësi. Se përse nuk janë regjistruar vitin e kaluar në konkurs, unë me të vërtetë nuk e di. Ndoshta nuk kanë patur sa duhet informacion. Gjithsesi këtë vit është dashur të merren hapa të mëtejshëm", thotë Valbona Mehmeti nga Gjilani, studente në universitetin e Prishtinës.

"Po të kishte informuar për këtë, po të ishte bërë publike, po të mos ishte shpallur vetëm në universitet dhe të zgjaste ato dhjetë ditë, e të kapë kë të kapë, unë do të kisha konkurruar. Do të isha regjistruar për gjuhën boshnjake, ose serbe, por kështu s'e kam ditur", thotë Mersit Terzini nga Prizreni.

Deri në qershor të vitit 1999 në fakultetin e Filologjisë në universitetin e Prishtinës nga gjuhët sllave janë studiuar serbishtja dhe rusishtja. Mësimdhënia për rreth 50 mijë studentë në këtë institucion të arsimit të lartë që nga ardhja e organizatave ndërkombëtare bëhet vetëm në gjuhën shqipe.