1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjukanoviç fiton raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

20 Mars 2023

Pas zgjedhjeve në Malin e Zi, presidenti properëndimor e prej kohësh në pushtet, Milo Gjukanoviҫ sipas të dhënave paraprake ka fituar 35% të votave. Në balotazh Gjukanoviç del përballë ekonomistit, Jakov Milatoviç.

https://p.dw.com/p/4OuWT
Milo Gjukanoviç
Milo GjukanoviçFotografi: Risto Bozovic/AP Photo/picture alliance

Në mesin e krizës politike të vendit, Mali i Zi votoi për presidentin e ri. Sipas Institutit për Studimet Zgjedhore, CTD presidenti aktual properëndimor, e prej kohësh në pushtet, Milo Gjukanoviç ka fituar 35% të votave. Për raundin e balotazhit Gjukanoviç duhet të përballet ekonomistin Jakov Milatoviç, i cili u rendit i dyti, sipas rezultateve paraprake, me 29% të votave. Partia e tij "Europa tani" është e afërt me kishën ortodoske-serbe të komanduar nga Beogradi. Në vendin e tretë u rendit kreu i Frontit Demokratik, parti e hapur proserbe, Andrija Mandiç, me 19 të votave. Zgjedhjet e balotazhit zhvillohen më 2 Prill. Këto zgjedhje vendosin për fatin politik të Gjukanoviçit.

Në Malin e Zi 540.000 votues u thirrën të dielën të votojnë për presidentin e ri të vendit. Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të ndezur politike. Presidenti aktual, Gjukanoviҫ këtë herë ka konkurrencë të fortë, si politikanin e ri, Jakov Milatoviҫ, një ekonomist proeuropian , i dalë në garë kundër properëndimorit Gjukanoviҫ. Milatoviçi shihet me shanse të mira për zgjedhjet e balotazhit. Partia e tij "Europa tani" paraqitet si parti moderne dhe e orientuar nga reformat. Milatoviç ka qenë ministër i Ekonomisë në qeverinë proserbe jetëshkurtër (dhjetor 2020-prill 2022). Kurse Andrija Mandiҫ, i cili kërkon një afrim më të madh të vendit anëtar të NATO-s me Serbinë fqinje dhe Rusinë u rendit i treti.

Jakov Milatoviç
Jakov MilatoviçFotografi: Stevo Vasiljevic/REUTERS

Gjukanoviҫ akuzohet për korrupsion

61-vjeҫari, Milo Gjukanoviҫ që prej 33 vjetësh mban poste drejtuese nëMalin e Zi akuzohet nga kundërshtarët e tij politikë për korrupsion ashtu si edhe partia e tij e qendrës së majtë DPS. Gjukanoviҫ dhe partia e tij nuk i pranojnë akuzat. Mali i Zi ndodhet prej muajsh në një krizë të thellë politike. Disa herë ka pasur votë mosbesimi në parlament dhe përplasje politike mes presidentit dhe deputetëve. Të enjten Gjukanoviҫ vendosi të shpërbëjë parlamentin dhe vendosi datën e zgjedhjeve të reja parlamentare më 11 qershor. Rezultati i zgjedhjeve presidenciale mund të ndikojë edhe në zgjedhjet parlamentare.

Zgjedhje në Malin e Zi
Zgjedhje në Malin e ZiFotografi: Stevo Vasiljevic/REUTERS

 

 

la/ag