Gjurma ballkanike e atentatorit të Zelandës së Re
18 Mars 2019Në kohën që australiani 28 vjeçar, Brenton Tarrant paraqiste në Facebook atentatin e tij gjurmët të çonin në Ballkan. Filmimin "live" të atentatit, Tarrant e shoqëroi me një këngë luftarake të serbëve boshnjakë, që në vitet 90-të luftuan në Jugosllavi kundër myslimanëve në shumicë në ushtrinë e Bosnje-Hercegovinvës - "Karadxhiç drejtoji serbët e tu" është kënga që himnizon komandantin e atëhershëm serb, Radovan Karadxhiç, i cili u dënua nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi me 40 vite burgim. Karadxhiç u dënua edhe për pjesëmarrjen e tij në masakrën e Srebrenicës, në vitin 1995 ku u vranë 8000 myslimanë.
Si turist në kërkim të frymëzimit terrorist?
Këtë këngë e ka shkruar në vitin 1993 Zeljko Grmusha, që donte të forconte me të moralin e trupave serbe. "Është e tmerrshme se çfarë ka bërë ky njeri në Zelandën e Re, natyrisht e dënoj këtë, më vjen keq për të gjithë ata njerëz të pafajshëm", citon gazeta bulevardeske serbe "Kurier", muzikantin amator. Zeljko Grmusha jeton në Kroaci e ka frikë për sigurinë e tij.
Kjo këngë do ishte harruar, nëse persona të panjohur nuk do të kishin nxjerrë variante të tjera të saj me titrat anglisht "Remove Kebab". Videot me përmbajtje kundër myslimanëve janë klikuar miliona herë dhe janë shoqëruar me komente raciste.
Udhëtime në Ballkan
Brenton Tarrant ka qenë disa herë në Ballkan para atentatit. Në vitin 2018 ai vizitoi si turist vende historike. Më vonë sipas të dhënave të Prokurorisë së Përgjithshme Bullgare ai ka udhëtuar në Rumani dhe Hungari. Dy vite më parë ai kishte vizituar Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë. Nëse ka kërkuar një skenë neonaziste, Tarrant, në Serbi nuk do ta ketë gjetur dot në Serbi, sepse për shkak të armiqësisë historike me diktaturën e Hitlerit dhe me lidhjen e ustashëve kroatë me Hitlerin, serbët e refuzojnë këtë ideologji me shumicë. Shovinizmi serb është më shumë antiperëndimor e prorus.
Ideologji e arnuar
Ka gjasa që Brenton Tarrant të ketë qenë i "frymëzuar" nga lufta për çlirim e popujve të Ballkanit kundër turqve. Në përfytyrimet e tij duket se ka një linjë mes tij, princit serb, Llazarit të rënë në betejën e Fushë Kosovës në shekullin e 14-të në luftë kundër osmanëve dhe të tjerëve, "mbrojtës të rajoneve të krishtera". Rrethanat e atentatit, emrat me alfabetin cirilik të luftëtarëve historikë në luftë kundër pushtuesve osmanë janë më shumë shenja të një ideologjie të arnuar, merret gjithçka që të përshtatet për të justifikuar botëkuptimin. Këto shenja nuk janë tregues të lidhjeve terroriste në Ballkan apo një rrjeti mbështetësish në këtë rajon. Po ashtu si udhëtimet në Ballkan, Tarrant mund të jetë frymëzuar edhe nga ekstremisti i djathtë, Anders Behring Breivik. Lidhjet e tij me botëkuptimin e Breivik janë të dukshme. Edhe Breivik ksihte adhurim për paramilitaristët serbë.
Mediat në Serbi e trajtuan me hollësi atentatin në Christchurch. Ekspertët e sigurisë përjashtuan mundësinë e një rreziku më të lartë të terrorit në vend. Por ka pasur shqetësime, se raportimi mbi videot që nderonte Tarrant mund të hedhë hije mbi imazhin e Serbisë. Ndërkohë që mjaft përdorues myslimanë të internetit u shprehën të irrituar, se pse mediat nuk e përcaktojnë autorin si "fundamentalist i krishterë, në një kohë që përdoret normalisht përcaktimi "fundamentalist islamist" për atentate të tjera.