1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i përgjigjet nesër pyetjes nëse pavarësia e Kosovës përputhet me të drejtën ndërkombëtare

21 Korrik 2010

Vuk Drashkoviq: Njeriu nuk mund t'i detyrojë më shumë se 1,5 milionë njerëz, që të përqafojnë diçka që nuk duan

https://p.dw.com/p/OQhl
Fotografi: dpa

Serbia dhe Kosova duhet të ndërtojnë raporte të mira mes vete, deklaroi ish-minisitri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviq në një intervistë për gazetën austriake "Die Presse". Drashkoviq pohon se raporte të mira mes këtyre dy vendeve mund të ketë edhe pa njohjen e Kosovës prej Serbisë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do t'i përgjigjet nesër pyetjes se a ishte pavarësia e Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Mendimi këshilldhënës i institucionit më të lartë juridik të OKB-së, nuk është i obligueshëm. Por ka një peshë të veçantë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, njohjet e reja të Kosovës dhe procesin e integrimeve të këtyre vendeve në NATO dhe BE.

Në pyetjen e gazetarit të gazetës "Die Presse" se si mund të gjendet rrugëdalja nga situata e tanishme, ish-ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Drashkoviq përgjigjet: "Kosova e ka shpallur pavarësinë, ndërsa Serbia nuk e njeh atë. Në Kosovë më nuk ka sovranitet të Serbisë, nuk ka institucione apo simbole të Serbisë atje. Ndërkohë që sipas Rezolutës 1244, Kosova është pjesë e Serbisë. Kur ne në Serbi themi se duam të ruajmë sovranitetin mbi Kosovën, atëherë themi se duam të ruajmë diçka që nuk kemi fare. Shqiptarët e Kosovës më nuk e pranojnë Serbinë si shtet të tyre, ndërkohë që Serbia nuk i njeh shqiptarët si shtetas të vet. Njeriu nuk mund t'i detyrojë më shumë se 1,5 milionë njerëz, që të përqafojnë diçka që nuk duan."

Vuk Draskovic
Vuk DraskoviqFotografi: AP

Shkrimtari i njohur serb paraqet edhe formulën e tij për rrugëdalje nga kjo situatë: "Në kohën kur kam qenë ministër i Jashtëm kam propozuar formulën: një Serbi me dy sisteme, si Kina dhe Tajvani. Shumica shqiptare duhet të ketë mundësinë e qeverisjes me Kosovën, pavarësisht prej Beogradit, por me kusht që të respektojë të drejtat e serbëve dhe vlerat e tyre fetare e kulturore. Kjo është refuzuar, ndërsa tani Prishtina dhe Beogradi nuk janë askund."

Ndërsa në pyetjen nëse Beogradi duhet t'i japë fund bllokimit të Kosovës, ish-ministri i Jashtëm serb përgjigjet me disa pyetje: Çfarë është sot patriotizmi nacional serb? Injorimi apo respektimi i realitetit? A duhet të jetë katastrofa e Kosovës bazë për një katastrofë për mbarë Serbinë? Apo duhet ndërtuar një Serbi moderne evropiane, e cila nën ombrellën e Bashkimin Evropian, do të kthehet në Kosovë? Këtu mendoj jo në kthimin me dhunë e polici, por me kulturë, demokraci, tregti, investime dhe pajtim mes popujve. Unë jam për këtë rrugë, përfundon Drashkoviq.

Autor: Die Presse/Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani