Greqia në ethe greve
4 Shkurt 2016Kaq bujarë grevistët janë treguar rrallë: përballë hyrjes kryesore të Ministrisë së Punës në Athinë fermerët u ndajnë fruta dhe perime kalimtarëve. Edhe javën e kaluar fshatarë dhe fermerë bllokuan lidhje të rëndësishme rrugore në Greqinë veriore dhe u dhuronin udhëtarëve të habitur verë. Mesazhi i qartë i aksioneve, nuk ia vlen më t'i ofrojmë prodhimet tona në treg. Por të hënën a(01.02) ksionet e këndshme morën fund. Para stacioneve kryesore të pagesave të autostradave në të gjithë Greqinë u mblodhën traktorë që bllokuan ndër të tjera autostradën për në aeroportin e Athinës dhe një vendkalim kufitar me Bullgarinë. Disa orë më vonë, fermerët dhanë dhe një ultimatum: nëse qeveria nuk heq dorë nga reforma e planifikuar e pensioneve protestat do të përhapen duke nisur nga e hëna (8 shkurt). Sipas mediave janë planifikuar gjithashtu protesta në kufirin greko-turk.
Prej disa vitesh fermerët grekë ankohen për rritjen e kostove të prodhimit dhe subvencione më të ulëta të BE-së, për barrën e lartë tatimore dhe heqjen e ish-privilegjeve. Pika ku nuk mban më ujë pilafi është për ta rritja drastike e kontributeve për pensionet. Edhe për të ardhurat e ulëta vjetore prej 5,000 euro, kontributet e sigurimeve shoqërore do të rriten me 873 euro. Në rast se zbatohen të gjitha masat e kursimeve dhe reforma si janë planifikuar, bujqit me të ardhura të larta dhe ata që punojnë në profesion të lirë duhet të heqin dorë nga 80 për qind e të ardhurave bruto në favor arkave të shtetit dhe fondet e pensioneve. Qeveria e Athinës pretendon se protestat e fermerëve janë motivuar nga interesa të padrejta partiake. "Këto janë vetëm justifikime," thotë Jorgos Tzogopoulos, politolog dhe punonjës i think-tankut ELIAMEP në një intervistë për DW. "Edhe në të kaluarën, shpallja e një reforme gjithëpërfshirëse pensionesh në Greqi ka shkaktuar në mënyrë të përsëritur reagime të dhunshme - pavarësisht se cila parti ishte në pushtet."
Shumica e Tsipras sërish në rrezik?
Partia e majtë Syriza, e cila është në pushtet, e mbështet grevën e përgjithshme dhe bën thirrje për protesta kundër politikës së kursimeve në të gjithë Evropën. Paradoksi është që baza e partisë mbështet një grevë e cila drejtohet kundër kabinetit që drejtohet nga kjo parti. Kjo shtron pyetjen nëse kryeministri Tsipras do të jetë në gjendje që ta mbrojë reformën e pensioneve në parlament, ku ka vetëm një shumicë të ngushtë 153 nga 300 deputetë.
Që tani kanë nisur spekulimet për riformim qeverive apo për zgjedhje të reja. Por sipas analistit Pantelis Kapsis kryeministri do që ta kalojë paketën e reformave për pensionet me parlamentin aktual, në mënyrë që të arrijë një rregullim të gjerë për borxhet për Greqinë. Ai mendon edhe se kësaj here edhe krahu i majtë i partisë do të tregohet besnik ndaj kryeministrit, sepse ndryshe nga viti 2015 ata nuk kanë ndonjë parti alternative ku mund të angazhohen politikisht.
Por në rast se nuk i del plani A, Tsipras ka edhe një plan B, i cili quhet zgjedhje të reja apo "zgjerim" i shumicës në parlament. Kryeministri shpreson mbështetje nga opozita për ligje të ndryshme, por partia konservatore "Nea Dimokratia" nuk është dakord.