1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia në një moment kritik

Spiros Moskovou 4 Korrik 2015

Me referendumin qeveria greke po përpiqet t'ua hedhë votuesve barrën e përgjegjësisë për dështimin e negociatave me huadhënësit ndërkombëtarë. Demokracia në Greqi është në rrezik, mendon Spiros Moskovou.

https://p.dw.com/p/1Fsc8
Fotografi: Getty Images/A. Messinis

Referendumi i së dielës shënon një moment kthese në historinë e re greke. Në radhë të parë ai organizohet lidhur me propozimet e fundit për kursime dhe reforma të kreditorëve të vendit falimentuar. Qeveria Cipras i hodhi poshtë ato duke u larguar nga tavolina e negociatave. Tani ajo nxjerr votuesit grekë për të votuar, që t'i mbështesin udhëheqësit e tyre me një "Jo" të fortë. Meqë këto propozime dhe plane nuk janë më subjekt negociatash, në këtë referendum është në lojë në fund të fundit pozita e Greqisë në zonën e euros, lidhja me Evropën dhe orientimi i vendit.

Për demokracinë evropiane ajo, që është në gjendje të bëjë qeveria populiste e së majtës dhe së djathtës në Greqi, është një skandal i rangut të lartë. Aleksis Cipras thërret sa mundet për demokracinë dhe në të njëjtin kohë e çon vendin në një referendum për çështje të politikës financiare, tö cilin e ndalon shprehimisht kushtetuta greke. Aleksis Cipras përbetohet për dinjitetin e njerëzve, ndërkohë që bankat qëndrojnë të mbyllura dhe të moshuarit rrinë në radhë në vapë para automatëve bosh, për të marrë një pjesë të vogël të pensionit. Në ekonomi nuk ka lëvizje, në politikë ka polarizim, tek njerëzit dëshpërim.

Spiros Moskovou
Spiros Moskovou

Makthi nga diktatura

Sipas sondazhit të dielën pritet një garë kokë më kokë ndërmjet atyre, që duan të arrijnë një marrëveshje me huadhënësit ndërkombëtarë dhe atyre, që janë dakord me një qendrim të papajtueshëm ndaj institucioneve. Pak kush është i vetëdijshëm se në pjesën tjetër të Evropës e kanë humbur durimin dhe mirëkuptimin me qeverinë Cipras dhe për fat të keq prej saj edhe me vendin. Vetëm në vështrim të parë është kontradiktore se një shumicë e qartë 80% duan të mbajnë ende euron. Shumë prej tyre kanë mësuar për fat të se një monedhë e fortë e përbashkët është një dhuratë e Zotit dhe jo rezultati i performancës dhe produktivitetit, që duhet mbrojtur vazhdimisht.

Gjithsesi Greqia pak para referendumit duket më larg se kurrë nga pjesa tjetër e Evropës, qoftë ekonomikisht, politikisht dhe mendërisht. Vendi është goditur, i lodhur nga kriza ekonomike e pashembullt e pesë viteve të fundit, i huaj në një Europë, ku sundon një kulturë tjetër politike. Në këto kohë të vështira, në vorbullën e një situate pa rrugëdalje dhe absolutisht të pashpresë, zgjohen përsëri ankthe të harruara të një kaluare të tmerrshme. Dyzet vjet pas rrëzimit të diktaturës parlamenti grek i bën vend një organizate neonaziste, famëkeqes „Agimi i Kuq“. Idetë autoritare enden ndërkohë edhe brenda qeverisë Cipras. Dje ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, kreu i Anel-it, partnerit të djathtë populist në koalicion, theksoi në kundërshtim të plotë me kushtetutën se ushtria është gjithmonë garant i "sigurisë kombëtare". Kryeministri "i majtë", i pranishëm aty, vetëm buzëqesh në mënyrë misterioze. Qeveria SYRIZA ngroh vezët e gjarpërit.