Greqisë i falet një pjesë e borxheve
27 Tetor 2011Sipas marrëveshjes bankat duhet të heqin dorë vullnetarisht nga gjysma e pretendimeve të tyre financiare. Falja e pjesshme kap shumën e 100 miliardë eurove të obligacioneve shtetërore greke të papaguara, u shpreh presidenti francez, Nicolas Sarkozy. Nga kjo shumë 30 miliardë euro do t'i marrë përsipër sektori publik. Deri në vitin 2014 Greqisë do t'i vihen në dispozicon deri në 100 miliardë euro kredi. Qëllimi është ulja e deficitit në 120% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2020.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha: "Mendoj se ajo që njerëzit prisnin më shumë, më e vështira ishte natyrisht udjia për aspektet teknike lidhur me përfshirjen e sektorit privat për çështjen e Greqisë."
Për t'u siguruar nga pasojat e faljes së borxheve për Greqinë dhe turbulencave të tjera në tregjet financiare, bankat evropiane do të rrisin kuotën bazë të kapitalit në 9%. Gjithashtu u vendis që të rritet efektiviteti i fondit evropian të shpëtimit përmes instrumentave financiarë deri në 1 bilionë euro.
Kryeministri i Luksemburgut dhe shef i eurogrupit u tregua i kënaqur. "Jam i kënaqur me rezultatin e përgjithshëm, nuk jam gjithmonë dhe e them kur nuk jam i kënaqur." Kemi marrë vendime të rëndësishme, sepse kemi siguruar që të rritet në mënyrë të konsiderueshme pjesëmarrja e kreditorëve privatë për Greqinë.
Samiti përshëndeti gjithashtu vullnetin e Italisë për të vepruar energjikisht kundër krizës së borxheve. Vendimet e kryeministrit italian, Silvio Berlusconi duhet tanimë të vihen në veprim, tha presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy.
Autor: Lindita Arapi
Redaktoi: Aida Cama