1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grevat e hekurudhave shkatojnë dëme në miliona euro

Rolf Wenkel2 Nëntor 2007

Në qoftë se Gjermania do përfshihej nga një grevë e përgjithshme e hekurudhave, atëhere gjendja do të bëhej vërtet kritike.

https://p.dw.com/p/C0QC
Vagonë mallrash në Frankfurt mbi MainFotografi: AP

Çdo ditë hekurudhat gjermane transportojnë rreth 4,6 milionë udhëtarë. Claudia Kemfert, eksperte për hekurudhat pranë Institutit gjerman për studime ekonomike në Berlin, ka llogaritur se në rast se prej grevave të makinistëve të trenave preken rreth një milionë udhëtarë "atëhere dëmi që i shkaktohet ekonomisë shkon deri në 25 milionë euro në ditë."

Këto përllogaritje kanë të bëjnë vetëm me trenat lokalë të udhëtarëve. Pra gjithkush mund ta marrë me mend se sa të mëdha do të jenë dëmet ekonomike që do të shkaktoheshin në rast se në Gjermani do të hyjnë në grevë edhe trenistët e rreth 5.000 trenave të mallrave. Rreth 18% e transportit të mallrave në Gjermani kryhet përmes shinave hekurudhore.

'Në rast se prej grevave preket transporti i mallrave atëhere dëmet ekonomike do të jenë mjaft të mëdha. Kjo lidhet me faktin se disa degë të industrisë, p.sh. industria e përpunimit të metalit, kanë nevojë çdo moment për mallra dhe lëndë të para, dhe janë të varura prej transportit hekurudhor sidomos nga portet deri në qendrat e prodhimit. Në rast se ky ndërpritet atëhere do të shkaktohej shumë shpejt kaos i shoqëruar edhe me humbje jo vetëm për ndërmarrjet e caktuara por për ekonominë në tërësi. Në qoftë se në Gjermani do të kishim një grevë të përgjithshme të hekurudhave atëhere gjendja do të bëhej vërtet kritike dhe sipas meje një gjë e tillë vërtet duhet shmangur."

Me pasoja veçanërisht të rënda grevat e hekurudhave do të ishin për degë të tilla si ajo e prodhimit të çelikut, të automobilëve, të termocentraleve dhe të trafikut detar. P.sh. në rast se trenat e mallrave do të hynin në grevë atëhere karroceritë që prodhohen në Bratisllavë nuk mund të trasportoheshin për t'u montuar në uzinat e Porsches në Lajpcig, të cilat në këtë rast do të mbeteshin pa punë.

Koncernit të çelikut në Salzgitter do t'i duhej të ulte prodhimin, sepse nuk do të merrte sa duhej furnizime me lëndë të para prej portit të Hamburgut. Në rast nuk do të furnizoheshin me qymyr termocentralet nuk do të prodhonin dot më energji elektrike.

Në rast se do të ndërpritej transporti hekurudhor, transporti lumor në Gjermani mund ta përballonte vëllimin e qarkullimit të mallrave vetëm për dy ditë, sepse pas kësaj kohe depot do të mbusheshin plot dhe anijet nuk do të kishin më kapacitete lundrimi.

Prej grevave të hekurudhave gjermane do të prekeshin edhe shtetet fqinjë, sepse rreth 60% e vëllimit të transportit të mallrave përmes hekurudhave kryehet me botën e jashtme.

Por dëme do t'i shkaktoheshin edhe imazhit të hekurudhave gjermane, gjë që mund të çonte në humbje të klientëve.

Për shkak të grevave shumë ndërmarrje do të fillonin të mendonin

"nëse do t'u drejtoheshin hekurudhave për transportin e mallrave. Nga ana tjetër koncerni gjerman i hekurudhave synon të kalojë në bursë dhe për këtë i duhen investitorë të fuqishëm, të cilët për momentin duhet të kenë frikë prej zhvillimit të grevave dhe kërkesave për rroga më të larta. Të gjitha këto do ta dëmtonin daljen e koncernit të hekurudhave gjermane në bursë." - thekson ekspertja për hekurudhat pranë Institutit gjerman për studime ekonomike në Berlin.

Sipas përllogaritjeve të këtij instituti në rast se prej grevave të makinistëve do të përfshihej edhe transporti i mallrave, humbjet ekonomike do të shkonin deri në gjysmë miliardë euro në ditë.