1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grevë e mjekëve të klinikave universitare në Gjermani

Judit Hartl23 Mars 2006

Kërkesat e grevës së mjekëve janë: rritje e pagës 30%, rregullimi i kohës së punës dhe pagë e plotë për orët e punës jashtë orarit. Këto kërkon pra sindikata e mjekëve Marburger Bund. Ndërsa ministrja e shëndetësisë, Ula Shmid dhe sindikata e shërbimeve publike Verdi i konsideron kërkesat e mjekëve të ekzagjeruara.

https://p.dw.com/p/As7d
Java e protestës së mjekëve në Gjermani
Java e protestës së mjekëve në GjermaniFotografi: AP

Ndërkohë kanë hyrë në grevë mjekët e 20 klinikave universitare, kryesisht në landin e Nordrein-Vestfalisë, në Bavari dhe në Baden-Vyrtemberg. Jehona ka qenë pozitive, thotë Frank Ulrih Montgomery, kryetar i shoqatës së mjekëve Marburger Bund: "Ne me këtë dëshmojmë, se antarët e shoqatës e kanë pranuar grevën dhe jemi të gatshëm ta intensifikojmë atë. Mund t´ju them, pa detaje, se kemi plan që ta thellojmë protestën tonë në rast se nuk pranohen kërkesat tona. E këto masa do t´i marrim duke nisur nga java e ardhëshme."

Një ndër këto masa është një demonstratë masive e planifikuar për në Hanover, thotë Montgomery. Kërkesa e mjekëve është 30% më shumë pagë dhe kushte më të mira pune: "Ne kemi lëvizur në drejtim të palës së sipërmarrësve. Jemi të gatshëm të diskutojmë për javën 42 orëshe të punës. Jemi fleksibël edhe sa u përket orareve të punës. Pra ne kemi ofruar atë që kërkojnë sipërmarrësit dhe e ndjejmë se nuk na kanë marrë në konsideratë, kur na japin një ofertë që në thelb presupozon një rrogë 4% më të ulët."

Sipas Montgomeryt, nëse llogarit ofertën e parashtruar nga shoqëria e kontratave të punës të landeve, rezulton që mjekët të marrin një pagë 4% më të ulët krahasuar me pagat e mëparshme. Ndaj s´ka përse të habitet askush që mjekët gjermanë preferojnë të punojnë jashtë vendit si në Britaninë e Madhe, në Holandë, në Austri apo në Itali. Për këtë problem ka mirëkuptim edhe kryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme, Kristian Vulf, që vetëm pjesërisht është dakord me kërkesat e mjekëve:

"Duhet të arrihet në një marrëveshje, e pikërisht tek mjekët ka argumenta të justifikueshme për pagë dhe kohë pune. Ne jemi në rrugë të mbarë në këtë drejtim. Unë parashikoj që mjekët do të bien dakord gjatë dy javëve të ardhëshme. Ka mjekë studimet dhe kualifikimi i të cilëve ka kushtuar 1 milionë euro, dhe është një katastrofë nëse ata detyrohen të largohen jashtë vendit, ndërkohë që ne kemi nevojë dhe marrim mjekë nga jashtë. Në këtë drejtim duhet punuar. Në të shkuarën nuk janë marrë parasysh sa duhet interesat e mjekëve", thotë kryeministri i Saksonisë së Poshtme, Vulf.

Por jo kushdo ka mirëkuptim për grevën e mjekëve. Kryetari i shoqatës së spitaleve gjermane, Rudolf Kësters e konsideron të ekzgjaruar kërkesën për rritjen 30% të pagës. Sipas tij pretendimet, se mjekët e spitaleve paguhen keq, nuk i përgjigjen realitetit.