1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schüler Studenten Bildung Streik

17 Qershor 2009

Nga 15-21 qershor nxënës dhe studentë duan të tërheqin vëmendjen për të metat e politikës gjermane për arsimin.

https://p.dw.com/p/ICID
Nxenes duke protestuar ne Gießen
Në Gießen u zhvilluan më 16.06 protesta të nxënësve për reforma në arsim.Fotografi: dpa

Në parkun para Universitetit të Bonit janë mbledhur rreth 100 nxënës që janë ulur në rreth. Disa syresh madje e kanë kaluar natën këtu. Nëpër çadra janë ngjitur pllakata të verdha me mbishkrimin "Greva për Arsimin 2009".

Nxenes me tabela ne duar duke protestuar ne Bonn
Rreth 3.000 nxënës dhe studentë po marrin pjesë në protestaFotografi: AP

Gama e kërkesave të tyre dhe arsyeja përse të rinjtë demonstrojnë janë të gjera. 17-vjeçari Stefan Tassev e vë pikën mbi i: "Arsimi duhet të jetë i lirë dhe pa kosto, në rast të kundërt një shkollim të mirë mund ta përballojnë vetëm fëmijët që kanë prindër të pasur. "

Sistemi gjerman çon detyrimisht në diferencime prandaj ndaj tij ka shumë kritika

Ndonjëherë për ta reformat nuk janë aq të shpejta sa duhet, sikurse ndodh në shkolla të ndryshme të avancuara në Gjermani: pas klasës së katërt duhet të vendoset nëse duhet vazhduar gjimnazi apo në rast të rezultateve të dobëta një shkollë trevjeçare me orientim profesional dhe në rast se notat janë fare të ulëta të mbetet vetëm mundësia e shkollimit në nivelin e ulët. Ky sistem çon detyrimisht në diferencim prandaj ndaj tij ka shumë kritika. Reformat ndonjëherë janë shumë të nxituara. Dikur në Gjermaninë Perëndimore ka qenë sistemi 13-vjeçar deri në maturë - ndërsa tani është sistemi 12-vjeçar. Ka shumë që mendojnë, se këto janë pak.

Stefan Tassev ka dyshim, nëse përmes kësaj jave protetste do të ndryshojë diçka: "Arsimi nuk mund të përmirësohet nga një vit në tjetrin, vetëm sepse disa mijëra nxënës dalin në rrrugë. Për të pasur rezultat janë të nevojshme ndryshime rrënjësore."

Nje vajze duke protestuar ne Dyseldorf kunder taksave te studimit
Demonstranta në Dyseldorf(15.06.2009) kundër taksave të studimitFotografi: picture-alliance/ dpa

Politika mund të ndryshojë vetëm përmes presionit nga poshtë

Numri i pjesëmarrësve ende nuk është në mijëra. Organizatorët shpresojnë për më shumë pjesëmarrës të mërkurën (17.06) që është dita e manifestimeve të mëdha. Nxënësi Tim Opelz thotë: "Zgjedhje për fat të keq ka shumë rrallë. Unë personalisht jam 17-vjeç. Në zgjedhjet paralmentare në vjeshtë pra nuk do të mund të votoj, më së shumti mund të votoj në zgjedhjet lokale. Kjo do të thotë, se mundësia e vetme për të shprehur mendimin tim është të protestoj duke marrë pjesë nëpër demonstrata. Në këtë rast më dëgjojnë. Vetëm kështu përmes presionit nga poshtë politika mund të ndryshojë ."

Studentët ende të tërhequr

Me sa duket ky argument nuk i tërheq studentët. Ndonëse jemi në parkun para Universitetit të Bonit, demonstruesit janë vetëm nxënës. Ku janë studentët?

Në kërkim të studentëve në kafenën e Fakultetit Juridik. Të vetmuar, dyshe apo në grupe treshe studentët janë ulur në stolat përreth kafesë. Sheh fytyra të përqëndruara nëpër dosje apo pirgje librash. Ndihet era e kafesë, por edhe atmosfera e grevës:

Edhe Olja dhe Katja nga Rusia kalojnë këtu duke mos u kushtuar vëmendjen këtyre veprimtarive. Përse ato nuk kanë dalë në demonstratë? Përgjigja tipike: "Sepse kam leksione dhe s' kam kohë. Unë kam ardhur në leksion, Deri tani s' kam marrë vesh asgjë prej grevës, po e dëgjoj për herë të parë."

E njëjta gjë edhe me Tamarën që vjen nga Izraeli, ndonëse ajo e di se diçka duhet të ndryshohet urgjentisht: "Unë mendoj se tarifat për studimet janë shumë të larta."

Takstat e studimit pikë e nxehtë debati

Një pikë e nxehtë debati kjo për studentët. 500 euro për semestër kërkojnë thuajse të gjitha universitetet në landin e Nordrhein-Westfalisë. Megjithatë çdo land ka rregullat e veta. Ndërsa universitetet në landet lindore nuk kanë vendosur tarifa mujore, në Perëndim shpesh herë studentët duhet të paguajnë disa qindra euro për semestër. Edhe kundër këtyre tarifave demonstrohet.

"Ndoshta mund t'u thoni motrave dhe vëllezërve më të mëdhenj, që të vijnë edhe ata. Sepse tek e fundit bëhet fjalë edhe për arsimin e tyre dhe për universitetin, ku ata do të shkojnë më vonë," - bëjnë thirrje organizatorët me altoparlant.

Nxënësit vazhdojnë protestën - me muzikë. Në një shesh në qendër të qytetit është organizuar një koncert nga një grup nxënësish, që luajnë hip-hop. Studentët ende nuk janë të pranishëm, por ndoshta kjo ndryshon gjatë ditëve të ardhëshme.

Autor: Klaus Dahmann /Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Pandeli Pani