Gutenbergu shkarkon Inspektorin e Përgjithshëm të Bundesverit
26 Nëntor 2009“Inspektori i Përgjithshëm m'u lut që ta shkarkoj nga detyra dhe po ashtu edhe sekretari i shtetit mori përsipër përgjegjësinë, dhe me gjithë nënqeshjen tuaj, dua t'i falënderoj ata për shërbimin që na kanë bërë për disa dekada me radhë”, tha ministri kristiansocial i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, të enjten paradite në parlamentin gjerman.
Inspektori Wolfgang Schneiderhahn dhe sekretari parlamentar i shtetit, Peter Wichert, i cili fillimisht ka marrë pushim, akuzohen nga Guttenbergu për dezinformim.
Informacionet duhet t'i kishin kaluar më parë ministrit të atëhershëm të mbrojtjes Jung
Sipas informacioneve të botuara në numrin e sotëm të gazetës "Bild", ndër 143 viktimat e shkaktuara nga sulmet e bëra me urdhër të kolonelit gjermanit Georg Klein, kishte pasur edhe shumë persona civilë. Guttenbergu tha se informacionet duhet t'i kishin kaluar qysh më parë ministrit të atëhershëm të mbrojtjes, Franz Jozef Jung.
Jungu vetë, i cili tani është Ministër për Çështje pune dhe Sociale, u shpreh në Bundestag me rezerva:
“Dua të kem mundësi të shqyrtoj dokumentet dhe situatën pastaj të japë opinionin tim për këtë çështje”, tha ministri kristiandemokrat, mbi të cilin bie gjithashtu përgjegjësia, edhe në qoftë se vetë nuk ka qenë në dijeni për të vërtetën.
'Rast që duhet trajtuar në komision hetimor'
Opozita ndërkohë reagoi e indinjuar. Deputeti socialdemokrat Johannes Pflug paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor për sulmin ajror.
“Nëse del të jetë e vërtetë, që atëherë kemi të bëjmë me një rast tmerrësisht serioz që duhet trajtuar në komision hetimor,” tha Pflugu.
Njoftimi i Guttenbergut për konsekuencat në personel erdhi pikërisht në momentin kur në parlament po diskutohej për zgjatjen e mandatit të trupave gjermane në Afganistan, në kuadër të misionit ISAF. Ministri i jashtëm Guido Westerwelle, i cili kishte hapur debatin, e ceku vetëm tërthorazi çështjen e sulmit ajror në fillim të shtatorit, duke premtuar transparencë dhe mirëbesim ndaj parlamentit. Ministri paralajmëroi se kufiri i sipërm i kontingjentit gjerman, prej aktualisht 4500 ushtarë, do të duhet të rritet, por nuk përmendi shifra konkrete.
Autor: Anila Shuka / Berlin
Redaktoi: Auron Dodi