1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Günter Seufert: Turqia krijon fakte të kryera në Detin Egje

25 Gusht 2022

Turqia ka filluar sërish të bëjë shpime në kërkim të naftës në Detin Egje. A mund çojë kjo në përshkallëzimin e situatës me Greqinë dhe Qipron? Dimitra Kyranoudi bisedoi me Günter Seufert.

https://p.dw.com/p/4Fzz5
Türkei Mersin Gasbohrschiff Abdulhamid Han | Präsident Erdogan
Fotografi: Turkish Presidency/AP/picture alliance

Sa seriozisht duhet marrë vënia në diskutim nga qeveritarët turq e sovranitetit territorial grek në Egje? 

Në afat të mesëm vënia në diskutim e sovranitetit grek në ishuj duhet marrë seriozisht, sepse kemi të bëjmë me një qëndrim që e ka si qeveria turke ashtu edhe opozita. Në afat të shkurtër, momentalisht unë nuk shoh ndonjë rrezik përshkallëzimi. Turqia është duke u përpjekur të shuajë tensionet me shtetet e tjera në lindje të Mesdheut dhe një përshkallëzim i ri në ishuj do të ishte jo produktiv.

Turqia ka filluar sërish të bëjë shpime kërkimore. Megjithëse aktualisht anija Abdulhamid Han ndodhet në ujërat territoriale turke, dyshimet nuk janë larguar. A kemi të bëjmë me kërcënime për luftë? 

Shpimet në zonat eksluzive ekonomike të Greqisë do të përbënin pa dyshim provokim, edhe nëse direkt ato nuk e rrezikojnë sovranitetin e Greqisë. Në vitin 2020, Turqia bëri shpime në zonën ekskluzive ekonomike të Republikës së Qipros dhe vuri në diskutim ekskluzivitetin e zonës ekonomike të Greqisë në Kretë.

Türkei Mersin Gasbohrschiff Abdulhamid Han
Anija Abdulhamid HanFotografi: ADEM ALTAN/AFP

Republika e Qipros, Greqia dhe shtetet e tjera fqinje anëtare të BE janë duke u mësuar gjithnjë e më tepër me Turqinë, e cila është duke i bërë faktet e kryera. Në afat të mesëm dhe të gjatë kjo gjë duhet menduar mirë. Por, momentalisht unë nuk e besoj që të shpërthejë ndonjë luftë për këtë arsye.

A mendoni se Tayyip Erdoğan kërkon përshkallëzimin e situatës me Greqinë dhe Qipron. Apo ajo që po bën është vetëm show në politikën e brendshme?

Sidoqë të jetë, është një gjë që ka domethënie të madhe për politikën e brendshme. Sa më e vendosur të shfaqet qeveria për këtë temë, aq më shumë duartrokitje publike merr. Dhe opozita nuk ka ndonjë mendim tjetër sa i përket kësaj çështjeje. Interesante është që Turqia ka pranuar militarizimin e ishujve të Egjeut nga Greqia për dekada të tëra dhe tani krejt papritur, e kthen këtë çështje në konflikt. Në vitin 2020 nuk flitej ende shumë për këtë temë, çdo gjë rrotullohej rreth Qipros dhe rreth zonave ekskluzive ekonomike. Prandaj unë nuk mendoj se Turqia kërkon faktikisht përshkallëzimin. Ndryshe është puna me Qipron. Atje ne shohim se që nga zgjedhja e Ersin Tatarit „president" i Veriut të Qipros, një strategji afatgjatë është duke u vënë në jetë hap pas hapi. Nëse qeveria e Erdoganit qëndron në pushtet dhe marrëdhëniet me Evropën nuk përmirësohen, dhe nëse presioni ekonomik mbi qeverinë turke bie, atëherë unë mendoj se qeveria turke do të bindë njërin apo tjetrin shtet që të njohë Republikën turke të Qipros Veriore, për të arritur ndarjen përfundimtare të Qipros.

DW To the Point Deutsch | 03.02.22 | Günter Seufert
Günter Seufert, drejtor i Qendrës për Studimet e Aplikuara turke (CATS) pranë Fondacionit gjerman Shkenca dhe Politika  Fotografi: DW

Kur ndodhej për vizitë në Athinë, ministrja e Jashtme gjermane Analena Baerbock mbajti qëndrim të qartë në përkrahje të Greqisë duke thënë, se sovraniteti grek në Egje është i padiskutueshëm. Si e vlerësoni ju këtë? 

Këtu kemi të bëjmë me dy zhvillime: Një ministre e jashtme që është nga Partia ekologjike gjermane dhe një politikë turke përshkallëzimi ndaj ishujve grekë të Egjeut. Në fushatën zgjedhore ekologjistët gjermanë bënë të ditur se do të ndjekin ndaj Turqisë një politikë të bazuar më shumë në parimedhe do të tregojnë më shumë kujdes për të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Në vitin 2020 grindja midis Greqisë, Republikës së Qipros dhe Turqisë kishte të bënte me zonat ekskluzive ekonomike. Meqenëse për këtë çështje të gjitha partitë kishin qëndrime maksimaliste, Gjermania nuk e kishte të vështirë të ndiqte politikë të balancuar. Por sa i përket statusit të ishujve grekë nuk ka shumë për të diskutuar. Për këtë çështje, ministrat e jashtëm të vendeve europiane kanë deklaruar se nuk vihet në diskutim që ishujt i përkasin Greqisë.

A ka ndryshuar politika e përgjithshme gjermane ndaj Turqisë? 

Interesat kanë ndryshuar shumë. Qeveria gjermane vazhdon si dhe më parë të jetë shumë e interesuar për të pasur marrëdhënie të mira me Turqinë. Të dy vendet janë të lidhura ngushtë si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht dhe në fushën sociale. Me siguri që as Gjermania as Turqia nuk kanë me ndonjë vend tjetër marrëdhënie aq të mira sa kanë me njëra-tjetrën.

Annalena Baerbock dhe Mevlut Cavusoglu
Annalena Baerbock dhe Mevlut CavusogluFotografi: Khalil Hamra/AP/picture alliance

Ajo që ka ndryshuar është se kemi një ministre të re të Jashtme, e cila vjen nga një parti që ka pikërëndesa të tjera. Njëkohësisht gjendja në politikën e brendshme në Turqi është rënduar dhe demokracia dhe të drejtat e njeriut ndodhen në gjendje më të keqe se më parë dhe Turqia është duke u përgatitur për të ndërmarrë një fushatë tjetër në Qipron Veriore. 

A bën gabime Gjermania në trajtimin e grindjes midis Greqisë dhe Turqisë?  

Unë nuk besoj se qëndrimi i qeverisë gjermane në vitin 2020 ka qenë ndonjë gabim i madh. Sa i përket furnizimit të pjesëve përbërëse të nëndetseve, mund të argumentohet, sigurisht. 

A bëjnë Greqia dhe Qiproja gabime në trajtimin e Turqisë? 

Greqia mund të propozojë uljen e prezencës ushtarake të saj në ishujt e Egjeut, nëse njëkohësisht Turqia zvogëlon ushtrinë e saj të Egjeut dhe ndryshon retorikën agresive. Puna është tek krijimi i besimit. Republika e Qipros, sipas mendimit tim, ka bërë dy gabime. Ajo ka vënë në rrezik besimin e qipriotëve turq tek ajo, duke i bërë ata që të orientohen nga Ankaraja. Dhe ka bllokuar për një kohë të gjatë procesin e pranimit të Turqisë në BE. Tani, meqenëse Turqia nuk do më që të hyjë në Bashkimin Europian, Bashkimi Europian nuk ka më mënyra për të ushtruar presion ndaj Ankarasë.

A do t'i marrë Ankaraja pjesët përbërëse gjermane të nëndetëseve? 

Unë mendoj se pjesët përbërëse të nëndetëseve do të dërgohen. Ky është një vendim i marrë nga qeveria e mëparshme gjermane. Dhe aktualisht unë nuk shoh ndonjë lëvizje në Gjermani, për të rishikuar këtë vendim.

 

Günter Seufert është drejtor i Qendrës për Studimet e Aplikuara turke (CATS) pranë Fondacionit gjerman Shkenca dhe Politika