220409 Hatun und Can
22 Prill 2009Ngjarja të kujton rastin e ngjashëm të Hatun Sürücü, nga Berlini në vitin 2005. Për të penguar raste të tilla tragjike, që prej dy vitesh e gjysëm shoqata 'Hatun dhe Can' kujdeset në bazë vullnetare për vajzat dhe gratë e reja, që kërcënohen nga vrasjet, martesat me detyrim dhe dhuna. Anëtarët e shoqatës kanë i kanë dhënë mundësi të largohen nga familjet e tyre disa qindra grave në të gjithë Gjermaninë, duke i mbajtur në një banesë të mbrojtur të shoqatës. Njëra prej grave të reja u shpreh e gatshme, të flasë prej aty ku qëndron e fshehur.
Leilah rri në banesën e saj, diku në një qytet të madh gjerman, vështron nga dritarja në murin përballë, rrëfen për jetën e saj. Tregon për martesën me detyrim që prindërit kishin bërë në plan për të që kur ishte 16 vjeç, ikjen në një apartament të përbashkët të rinjsh, një burrë që e zgjodhi vetë por që e rrihte, për kockat thyera të hundës dhe të nofullës, për ndarjen. Të gjitha këto kjo grua e re i tregon, sikur të tregonte historinë e dikujt tjetër. Ajo tregon më tej, se si pastaj kthehet tek prindërit, ndërkohë është 23 vjeç dhe përpiqet të jetojë përsëri normalisht. "Dikur burri im më zuri në rrugë dhe më hodhi benzinë dhe i vuri shkrepsen. Unë mora flakë, fytyra ime u dogj përgjysmë, këtu duket diçka dhe te kofshët. Por, mbeta gjallë."
Mbeta gjallë. Këto fjalë i dëgjon shpesh nga Leilah. Por historia e saj nuk merr fund këtu. Para disa javësh prindërit i treguan se ajo duhet të martohet përsëri. "Unë pranova, se mendova, okay, ti ke zgjedhur vetë një idiot, ndoshta kësaj rradhe prindërit kanë bërë një zgjedhje më të mirë. Kur ai erdhi për të më kërkuar dorën, dëgjova të bëhej fjalë për një shumë parash. Nuk ishte fjala as për mua dhe as për atë si person, por e gjitha ishte një marrëveshje fitimprurëse." Leilah tërhiqet nga martesa dhe për këtë arsye, i vëllai e kërcënon ta vrasë me thikë, ajo fshihet tek një shoqe duke u dashur të arratiset nga qyteti i lindjes.
Andreas Beckert i shoqatës ‚Hatun dhe Can' ndihmon në mënyrë joburokratike, dërgon një biletë treni, e çon tek shtëpia, ku vajza gjen mbrojtje. Para dy vjetësh Beckert ka ngritur këtë shoqatë, sepse një shoqe e tij në Berlin u vra në atë kohë mes të rrugës nga i vëllai. Ajo ishte Hatun Sürücü. "Ne kemi punuar me vetëdije, që vdekja e saj të mos harrohet. Ky ishte qëllimi ynë. Ne marrim kërkesa nga Zvicra, nga qëndrat e këshillimit, nga Austria, na thërrasin në telefon zyrat e të rinjve, të cilat po ashtu konfrontohen me këtë problematikë, nga Franca marrim kërkesa, nga Britania e Madhe, thuajse në të gjithë Evropën ekziston ky problem."
Andreas Beckert, është për Leilah momentalisht personi më i rëndësishëm kontaktues. Me të ajo flet për frikërat e saj, mungesën e gjumit, për studimin e ndërprerë, për shtëpinë e saj. "Natyrisht, më merr malli për shtëpinë, por dëshira për të jetuar është më e fortë. Unë nuk mund të nënshtrohem, vetëm që prindërit e mi të mos turpërohen para të tjerëve. Këtë nuk e bëj dot. Unë kam lindur dhe jam rritur këtu. Kjo nuk i përgjigjet parimeve të mia. Kjo nuk ka të bëjë as me fenë, as me vendin e origjinës dhe as me nivelin arsimor të prindërve. Është thjesht vetëm një traditë dhe në rastin tim një shitje, një biznes."
Leilah nuk mendon më, përse prindërit dhe ish burri i saj e kanë trajtuara aq keq. "Unë e kam mbijetuar. Shpresoj, se do të mbijetoj edhe pesë vjetet e ardhshme. Por ka edhe ditë shumë të këqija, ndjehesh i braktisur, nga bota nga zoti dhe nga të gjithë. Për këtë temë më shumë heshtet, nganjëherë ajo nuk ekziston fare në Gjermani.
Autor: Svenja Pelzel / Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama