Haxhinasto në Prishtinë: Ndryshimet e kufijve në Ballkan të rrezikshëm
19 Mars 2011Pas takimeve me autoritetet kosovare, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili qëndron të premten dhe të shtunën (18--19.03) në Prishtinë tha se axhenda e diplomacisë shqiptare dhe asaj kosovare, do të bashkëveprojnë në mënyrë që të ketë një ndikim në proceset integruese të rajonit dhe në njohjet e shtetit të Kosovës.
Shqipëria e mbështet dialogun e filluar Kosovë-Serbi, si një proces të pashmangshëm për integrimet evropiane, tha Haxhinasto: “Është një proces, që jam i bindur se do të ndikojë drejpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë, dhe do t'i japë një përspektivë të re proceseve integruese të këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian”.
Haxhinasto e cilësoi ndryshimin e kufijve në Ballkan si të rrezikshëm. Ide të tilla Tirana zyrtare nuk i mbështet. “Tezat për bashkime, për shkëmbime territoresh, janë teza të dëmshme që nuk i shërbejnë aspak stabilizimit të rajonit, aq më pak i shërbejnë shqiptarëve”, u shpreh Haxhinasto pas takimeve të së premtes.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Lindita Arapi