Hekurudhat gjermane në grevë
15 Nëntor 2023Kompania gjermane e hekurudhave, Deutsche Bahnparalajmëron udhëtarët që të shmangin udhëtimet e panevojshme. Greva paralajmëruese që ka bërë të ditur sindikata, do të çojë në anulime të shumta të trenave në transportin rajonal dhe në distanca të gjata në të gjithë vendin - sot dhe nesër. Deutsche Bahn ka krijuar një orar emergjence për transportin në distanca të gjata, pas publikimit të vendimit të Sindikatatës së Lokomotivës Gjermane (GDL). Por numri i trenave do të reduktohet ndjeshëm, njoftoi kompania. "Për këto udhëtime, DB përdor trena më të gjatë me më shumë vende në mënyrë që të jetë në gjendje të sjellë sa më shumë njerëz në destinacionin e tyre. Por udhëtimet nuk mund të garantohen," kumtoi DB.
GDL ka planifikuar që sonte (e mërkurë) në ora 22:00 të fillojë grevën paralajmëruese, e cila do të zgjatë deri të enjten në mbrëmje, në orën 18:00. Shefi i sindikatës Claus Weselsky thotë se greva është e domosdoshme për shkak të mosmarrëveshjeve me punëdhënësit rreth kërkesave për rritjen e rrogave. Drejtori i burimeve njerëzore të hekurudhave, Martin Seiler, kritikoi ashpër këtë vendim. Greva paralajmëruese është "plotësisht e panevojshme" dhe një dëmtim i paarsyeshëm i udhëtarëve.
Sot fillojnë negociatat
Biletat që kanë blerë udhëtarët mund të përdoren edhe më vonë. Pasagjerëve iu kërkua të shmangin udhëtimet që mund të shtyhen. Ndërsa biletat për udhëtimet të mërkurën dhe të enjten mund të përdoren edhe më vonë. "Bileta është e vlefshme për udhëtimin në destinacionin fillestar, edhe me një itinerar të ndryshuar. Ndërsa rezervimet e vendeve mund të anulohen pa pagesë," kumtoi DB.
Kompania Deutsche Bahn ka refuzuar disa kërkesa të sindikatave. Në negociatat lidhur me marrëveshjet kolektive meDeutsche Bahn, sindikata GDL kërkon ndër të tjera 555 euro më shumë në muaj për punonjësit, si dhe një bonus kompensimi inflacioni deri në 3000 euro. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për Weselsky është reduktimi i orëve të punës nga 38 në 35 orë për punëtorët me turne, por pa zvogëlimin e rrogave. Hekurudha nuk e konsideron të realizueshme një reduktim të orarit të punës dhe deri tani ka refuzuar çdo negociatë për këtë.
Drejtori Martin Seiler në vend të kësaj ofroi një rritje pagash 11 për qind për një periudhë prej 32 muajsh në raundin e parë të negociatave. Ai shprehu gatishmërinë edhe për pagesën e kompensimit të inflacionit. "Shumë pak, për një kohë tepër të gjatë, në fund të fundit, një ofertë jo e mjaftueshme”, u përgjigj Weselsky për ofertën e punëdhënësit. Negociatat duhet të vazhdojnë të enjten dhe të premten. Por është ende e paqartë nëse do të mbetet kështu dhe nëse mund të negociohet paralelisht me grevën paralajmëruese.