Hendeku transatlantik
10 Shtator 2014Vetëm ndaj anëtarëve të saj NATO ka detyrim që t'i mbrojë kolektivisht në rast të një sulmi nga jashtë. Këtë parim shumë politikanë europianë e kanë sjellë ndërmend me një lehtësim të fshehtë. Sikur Ukraina të kishte qenë anëtare e NATO-s, aneksimi rus i Krimesë do ta kishte futur aleancën perëndimore në konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.
Anëtarësimi në NATO i Ukrainës dhe i Gjeorgjisë ka qenë deri para pak vitesh temë diskutimi. Në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 amerikanët nën presidentin Xhorxh W. Bush e kërkuan me forcë një gjë të tillë. Por disa shtete evropiane, në mesin e tyre edhe Gjermania, kishin rezerva, sepse ata që atëherë i druheshin tensioneve të mëdha me Rusinë. Në këtë pikëpamje Berlini konsideron sot se ka pasur të drejtë. Michael Gahler, zëdhënës i sigurisë i grupit të PPE në Parlamentin Europian, vë gjithashtu në dukje se popullsia e Ukrainës në atë kohë, "nuk ishte me shumicë të qartë pro." Ngurrimi ndaj Rusisë, thotë Gahler, ishte i lidhur me shpresën se "Rusia këtë do ta shpërblente me sjelljen përkatëse".
Pararendësja Gjeorgjia
Amerikanët e mbrojnë në mënyrë ofensive perspektivën e anëtarësimit. Ministri i Mbrojtjes Chuck Hagel tha javën e kaluar, gjatë një vizite në Tbilis, se vendi i tij do të vazhdojë të angazhohet për një anëtarësim të Gjeorgjisë. Shtetet e Bashkuara shqyrtojnë mundësinë e shitjes së helikopterëve ushtarakë në këtë vend. Ka paralele të qarta midis Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Shumë e shohin pushtimin rus të territoreve gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në vitin 2008 si pararendës të aneksimit të Krimesë vitin 2014 . Edhe në vitin 2008 pati protesta, por perëndimi nuk ndërhyri dhe dukej se u pajtua me situatën e re.
Në konfliktin e Ukrainës si demokrati amerikan Robert Menendez, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Senat, ashtu edhe senatori republikan John McCain kanë bërë thirrje për furnizimin me armë të forcave të armatosura të Ukrainës. Në sytë e politikanëve evropianoperëndimorë ky do të ishte provokimi i duhur për presidentin rus Vladimir Putin, provokim, që atij mund t'i nevojitet për pushtim.
A po bëhet Ukraina një Afganistan i dytë?
Kështu dy qëndrime shumë të ndryshme përballen me njëra-tjetrën. Shumica e vendeve evropiane të NATO-s nuk duan ta provokojnë pa nevojë Rusinë. SHBA dhe disa anëtarë lindorë, të cilët vetë kanë vuajtur nën pushtimin sovjetik, argumentojnë në mënyrë të kundërt. Sikur Ukraina të ishte sot anëtare e NATO-s, kjo do ta kishte mbajtur ndoshta Putinin larg aventurës së Krimesë. Roland Freudenstein, ekspert i politikës së sigurisë në qendrën Wilfried Martens Centre në Bruksel, beson se refuzimi i një plani konkret për pranim në vitin 2008 "e ka inkurajuar fuqishëm Putinin për ta përfshirë Gjeorgjinë në një luftë". Lidhjet më të forta ushtarake me NATO-n do ta kishin bërë së paku më të pamundur agresionin rus.
Freudenstein edhe tani është për një mbështetje të kufizuar ushtarake të forcave të armatosura të Ukrainës, "për të sprapsur një agresion tërësisht të paprovokuar, ose të paktën për të ngritur aq lart kostot, saqë Kremlini ta mendojë edhe një herë aksionin." Rusia "nuk ka mundësi të pakufizuara për të ndërhyrë" dhe e ka mirë në kujtesë katastrofën në Afganistan". Deputeti Gahler thekson se "as Rusia nuk do të pohonte se Ukraina ka për qëllim të kërcënojë integritetin territorial të Rusisë". Përpjekjet e mbrojtjes ukrainase janë vetëm defensive.
Jo zonë influence për Rusinë
Qoftë Freudenstein ashtu edhe Gahler refuzojnë, që t'i lejojnë Rusisë një sferë influence, siç sugjerohet të paktën nga shumë politikanë perëndimorë. Secili vend ka të drejtë të zgjedhë i lirë aleancat e tij. Edhe çështja e pranimit në NATO e të dy vendeve duhet të mbetet në parim e hapur. Që ta përjashtosh atë, mendon Freudenstein, "do të ishte një shpërblim për sjelljen ruse". Për Michael Gahler kusht duhet të jetë "mbështetja e qëndrueshme shumicës së popullsisë" dhe që të gjitha vendet e deritanishme të NATO-s t'i mbështesin këto pranime. Momentalisht nuk është kështu. Nëse kjo do të ndryshojë, thotë Gahler, varet edhe se "me çfarë Rusie do të kemi të bëjmë në të ardhmen". Me Rusinë e Putinit kjo nuk mund të bëhet.
Por Perëndimi nuk duhet të mbetet pasiv për këtë arsye, mendojnë të dy ekspertët. "NATO dhe BE kanë nevojë për një politikë të re për Lindjen", këshillon Freudenstein. BE duhet t'u drejtohet më fort shoqërive civile dhe të ndërtojë lidhjet me elitat me anë të tregtisë, bursave dhe lehtësimit të vizave. NATO duhet të vazhdojë bashkëpunimin e saj ushtarak nën pragun e anëtarësimit, "pavarësisht nëse u pëlqen zotërinjve në Kremlin apo jo." Edhe politikani evropian Gahler inkurajon për bashkëpunim të mëtejshëm civil dhe ushtarak. Përveç kësaj është e rëndësishme, që të vazhdohet "dialogu ndërmjet BE dhe Rusisë" dhe "të ndiqet me interes" dialogu midis Rusisë dhe Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.