1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

090810 Weltbank Investitionen

9 Gusht 2010

Nëse doni hapni një degë të firmës tuaj në Angolë, atëherë duhet të prisni gjashtë muaj sa të merrni lejen! BB ka hetuar në 87 vende sa të vështirë e kanë investitorët e huaj të hapin tregje të reja.

https://p.dw.com/p/OfQZ
Herë mirëpriten, herë mezi durohet
Herë mirëpriten, herë mezi durohetFotografi: DW-TV

Studiuesit e Bankës Botërore vrojtuan me imtësi 87 shtete. Përfundimi: Shumë vende humbasin investimet fitimprurëse, sepse e kufizojnë hyrjen e firmave të huaja në tregjet e tyre. Kërkuesit gjetën pengesa gati në të gjitha vendet. Firmave të huaja iu duhet mesatarisht 50 për qind më shumë kohë sesa sipërmarrjeve vendase për të nisur një biznes.

Por gjërat po lëvizin, thotë Pierre Guislain i Bankës Botërore në Uashington, njëri prej autorëve të studimit. "Ka sa vjen e më shumë vende që zhvillojnë vetëdijën: Nëse duam të jemi konkurues, duhet të jemi tërheqës për investitorët. Kriza ekonomike ka ushtruar trysni shtesë mbi tregjet dhe tani shohim një interes në rritje për t'u integruar më mirë në ekonominë botërore".

Selia e Bankës Botërore
Selia e Bankës BotëroreFotografi: ullstein - Giribas

Shkencëtarët bënë në punimin e tyre katër pyetje: Në cilët sektorë të ekonomisë lejohen të investojnë të huajt? Sa shpejt mund të themelojnë ata një sipërmarrje? Sa e lehtë është për investuesit të blejnë truall? Dhe: Sa shpejt mund të sheshohen konfliktet tregtare?

Dallimet në këtë mes janë të jashtëzakonshme. P.sh. në Nikaragua zgjat një gjysmë viti deri sa merr sipërfaqe industriale, ndërsa në vende si Armenia apo Koreja e Jugut më pak se dy javë.

Dy grupe vendesh spikasin në studim. Nga njëra anë Azia Lindore, këtu hyrja për investuesit e huaj është shpesh shumë e vështirë. Këtu bie në sy para së gjithash Kina. Hyrja në tregjet e telekomunikacionit dhe të medias është e kufizuar. Themelues sipërmarrjesh nga jashtë duhet të presin rreth 100 ditë për një leje. Ja që Kina si vend i madh është treg i kërkuar dhe mund t'i lejojë vetes kufizime, thotë Guislain.

Në Azinë Lindore, hyrja për investuesit e huaj është shpesh shumë e vështirë.
Në Azinë Lindore, hyrja për investuesit e huaj është shpesh shumë e vështirë.Fotografi: picture alliance/dpa

Nga ana tjetër Evropa Lindore. Këtu ka, sipas Bankës, kushte të mira. "Vendet evropianolindore dolën nga sistemi ekonomik sovjetik. Kjo krijoi hapësirë të madhe për investime të reja nga jashtë. Veç kësaj ato kanë lidhur marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian ose janë antarësuar menjëherë. Kështu që ka pasur pak pengesa për investuesit dhe reformat ekonomike erdhën shumë shpejt."

Në vendet e para renditen sipas Bankës edhe Irlanda, Britania e Madhe dhe SHBA-ja- Sipas saj, këto vende kanë tërhequr shumë investues, pengesat janë shumë të ulta.

Por pikërisht këto vende përjetuan një rënie ekonomike të furishme. Mos ka çuar tregu i hapur në rënien e shpejtë? Kjo pyetje, thotë Guislain, nuk ishte objekt i studimit. Ai nuk donte të përgjigjej për këtë.

Autor: Benjamin Hammer/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama