Heshtje përballë shkeljes së të drejtave të njeriut - përfundoi punimet Asambleja e 60-të e Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut
24 Prill 2004Për gjashtë javë me radhë në Pallatin e Kombeve në Gjenevë pjesëmarrësit diskutuan për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë. Organizatat e pavarura për të drejtat e njeriut reaguan me kritika të ashpra në lidhje me zhvillimin dhe dokumentat përfundimtare që miratoi Asambleja e 60-të e Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Gjithnjë e më tepër ky komision i OKB-së po bie dakord që të heshtë, kur është fjala për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Organizata të tilla si "International Service for Human Rights" apo "Amnesty International" kritikuan faktin që ky komision kthen kokën mënjëanë në shumë raste, ku kemi të bëjmë me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ish-ministri gjerman i punëve të brëndshme Gerhard Baum, i cili deri në vitin 1998 kishte qenë për shtatë vjet me radhë kryetar i delegacionit qeveritar gjerman pranë Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e kishte quajtur seancën fundit të vitit të kaluar si "pikën më të ulët që kishte arritur debati për të drejtat e njeriut, që prej përfundmit të Luftës së II Botërore". Kjo tendencë u ndje këtë vit edhe më e fortë, nën pretekstin që parimet për të drejtat e njeriut i takojnë një shkalle të dytë në krahasim me primatin, pra luftimin e terrorizmit.
Për ilustrim disa shembuj. Pro projekt-rezolutës së BE-së për të dënuar Rusinë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni votuan këtë vit vetëm 12 shtete nga 53 shtete anëtare të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Le të kujtojmë se në vitin 2002 e njëjta rezolutë ishte miratuar, gjë që çoi në dënimin për herë të parë që prej themelimit të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në vitin 1948 të një prej pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Delegacioni i SHBA-ve arriti që përmes ushtrimit të presionit masiv ndaj shteteve të tjera anëtare të Komisionit të arrinte që as të mos diskutohej për një rezolute që dënonte SHBA-të për shkak të trajtimit të të burgosurve në bazën ushtarake Guantanamo. BE-ja dhe sidomos Gjermania, dhe ambasadori i saj Michael Steiner, që këtë vit kryesonte delegacionin e vendeve perendimore pranë Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut i erdhën në ndihmë qeverisë së presidentit Bush, duke e detyruar Kubën që ta tërhiqte kërkesën për rezolutën në fjalë. Madje Steiner dhe e ngarkuara e qeverise gjermane për të drejtat e njeriut, Claudia Roth, e lavdëruan këtë tërheqje të Kubës si një "vendim të zgjuar" të Havanës.
Kina nga ana e saj arriti për herën e 11-të që prj vitit 1993 që me shumicë votash në Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ta hidhte poshtë idenë e fillimit të diskutimeve për rezolutën e SHBA-ve në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.
Një ndër të paktat suksese të seancës së këtij viti të Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ishte që rezoluta e Italisë në emër të BE-së kundër dënimit me vdekje u mbështet me 26 vota pro. Ndër vendet që votuan pro kësaj rezolute bënte pjesë këtë vit edhe Turqia, e cila deri tani kishte qenë ndër kundërshtaret e rrepta të kësaj rezolute. Kundër rezolutës votuan si tradicionalisht Kina dhe SHBA-të.
Po ashtu delegacioni amerikan hodhi poshtë edhe të gjitha rezolutat në lidhje me Gjykatën ndërkombëtare të Hagës si dhe propozimet për forcimin e të drejtave ekonomike, kulturore dhe sociale të njeriut.