Hetim pasurive të trafikantëve shqiptarë të drogës
1 Shtator 2021Deklarata e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi vjen pas njoftimit zyrtar të EUROPOL-it (Agjensia e Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit ) për shkatërrimin e një rrjeti transnacional të krimit të organizuar në kultivimin dhe trafikimin e drogës, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në reagimin e tij, Ministri i Brendshëm Çuçi, thekson se "policia shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me atë spanjolle, gjermane dhe EUROPOL përmbyllën një mega-operacion në Spanjë, kundër krimit të organizuar në fushën e narkotikëve. Oficerë të Policisë së Shtetit operuan në Spanjë së bashku me kolegët e tyre gjermanë dhe spanjollë për çmontimin e organizatës. Hetimet do të vijojnë me hetimin e pasurive në Shqipëri të personave të implikuar.”
Arrestohen 107 persona, ndër të cilët 60 shqiptarë
Burime zyrtare nga EUROPOL bëjnë të ditur, se në sajë të përfundimit me sukses të mega-operacionit në Spanjë, të koduar me emrin DOBRA "u arrestuan 107 persona , nga të cilët 60 shtetas shqiptarë, shtetas spanjollë, sllovakë dhe grekë për kultivim dhe trafikim droge, u sekuestruan 51 ferma kanabis dhe, 25 mijë bimë kanabis , u konfiskuan 75 mijë euro dhe automjete luksoze”.
Organizata kriminale transnacionale kishte degë që vepronin në shumë vernde të Europës që selitë i kishin në Spanjë dhe Gjermani. Në njoftimin e EUROPOL theksohet, se "organizata transnacionale menaxhonte plantacionet e kanabis në Spanjë, ku mariuana kultivohej, përpunohej dhe dërgohej në vende të tjera europiane për t'u shpërndarë.
Hetimet sipas burimeve zyrtare filluan qershorin e vitit të kaluar, kur policia spanjolle u vu në dijeni për një rrjet, për të cilin dyshohej, se po mbulonte një organizatë kriminale me origjinë shqiptare për t'u vendosur në Spanjë. "Ky rrjet, i përbërë nga profesionistë në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike e ndihmoi këtë organizatë, të vendosej në Spanjë kundrejt pagesave paraprake dhe i siguroi asaj logjistikën dhe infrastrukturën e duhur për kultivimin e mariuanës”, vë në dukje njoftimi i EUROPOL.
Në fund të vitit të kaluar, në Berlin, njëra nga dërgesat e mariuanës u neutralizua nga policia gjermane. Organizata në fjalë kishte fshehur 140 kilogramë boçe mariuane, të paketuara në vakum në një dërgesë frutash të thata, përmes një kompanie britanike. Kur ngarkesa që mbërriti në Berlin u neutralizua, " u arrestuan 3 trafikantë shtetas shqiptarë, u sekuestruan 100 kg mariuanë, 700 gram kokainë dhe 2 mijë Euro”, sipas EUROPOL.
Neutralizimi i ngarkesës së mariuanës në Berlin hapi hetimet në Spanjë për drejtuesit e rrjetit dhe mënyrat e shpërndarjes së drogës. Hetimet zbuluan që anëtarët e organizatës kriminale ndryshonin drejtimin e furnizimin me energji elektrike dhe vidhnin energjinë e nevojshme për kultivimin e kanabis në mjedise të mbyllura. Sipas njoftimit të EUROPOL, energjia e vjedhur arrinte në një humbje prej 1,6 milionë eurosh për entet spanjolle të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Pala shqiptare e përfshirë herët në hetime
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit , Ardi Veliu, "pala shqiptare u përfshi në fazat e para të hetimit përmes shkëmbimit të informacionit me autoritetet spanjolle deri në përfundimin e operacionit për goditjen e organizatës kriminale të trafikantëve të drogës”.
Lidhur me hetimin e burimeve të pasurive të shtetasve shqiptarë të arrestuar në Shqipëri ai tha se ”duke hetuar mbi pronat që mund të jenë krijuar nga të ardhurat e aktivitetit kriminal nga shtetasit e përfshirë godasim pjesën ekonomike dhe i japim goditje shumë të fortë dhe paralizojmë aktivitetin kriminal të kultivimit dhe trafikimit të drogës.”