Histeri eurosh në Sllovaki
8 Dhjetor 2008Një bankë në kryeqytetin sllovak Bratislava. Paketa prezantuese me euro? Po, kjo bankë ka akoma prej tyre, siguron zëdhënësja e bankës, Alena Valterova. Megjithatë, dhënia e tyre është racionuar: "Çdo qytetar ka mundësi të blejë tani vetëm një paketë, në mënyrë që të kenë mundësinë të blejnë sa më shumë njerëz."
Të hënën e shkuar filloi e gjitha. Para sporteleve u krijuan radhë të gjata me njerëz. Të gjithë donin të ishin të parët, që të mbanin në duar tetë monedhat e reja me simbolet kombëtare. Motivet janë ndër të tjera kështjella e Bratislavës, maja e Tatrës së Lartë dhe emblema sllovake e kryqit.
Spekullantët u përpoqën t'i blejnë të gjitha me thasë, për të bërë pazar me to pastaj në internet. Por edhe shumë pensionistë, që kishin kohë të rrinin në radhë. Në fillim, të gjithë mund të blenin aq paketa me euro sa donin. Çdo paketë kushton 500 krona sllovake, që kanë një vlerë prej 16,60 Euro, shumë e paraqitur në 45 monedha të futura në qese të vogla të vulosura plastike. Kështu, shumë banka i mbaruan shpejt rezervat e tyre.
Për këtë ankohet kjo grua e vjetër: "Nuk bleva dot, askund nuk kishte më. Doja për vetë një paketë, në mënyrë që të kem euro, kur të shkoj të bëj pazar. Për fëmijët e mi nuk doja, sepse nuk jam kaq e pasur, sa t'ua dhuroj edhe fëmijëve të mi."
Por shumë sllovakë të tjerë e përballonin financiarisht që t'i dhuronin monedhat e euros- gjë që edhe e bënë. Pse të vrasësh mendjen gjatë për dhuratë. Për ata që marrin dhuratë këtë vit është e qartë: kur dhurata e paketuar me ngjyra nën pemën e Krishtlindjes ndihet e butë dhe ka tingëllim metalik, me siguri që është një paketë me euro.
Për këtë, zëdhënwsja e bankës nuk çuditet. Valterova është e sigurtë: "Mendoj se ky interes pritej, sepse Krishtlindjet po afrohen dhe vetë fjala paketë zgjon te njerëzit mendimin se kjo mund të jetë një dhuratë me vend. Dëgjova se një qytetar i moshuar bleu për të gjithë familjen paketa me euro si dhuratë për Krishtlindjet, pra edhe për fëmijët dhe madje edhe për nipërit."