1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

HIV pozitiv - pranimi në shoqëri negativ

Gudrun Heise/exh30 Nëntor 2014

Çfarë dimë vërtet për Sidën? Apo infeksionet me HIV? Kush njeh të prekur? A sillemi me ta njësoj si me të tjerët? Apo ka ende rezerva?

https://p.dw.com/p/1Dx7r
Fotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

"Shumë njerëz për sëmundjen e Sidës kanë parasysh imazhin e një njeriu në grahmat e fundit të jetës." Kjo është përvoja që ka vazhdimisht Anja Wolff nga Ndihma për Sidën në Bochum. Stigmatizimi i njerëzve me HIV vazhdon edhe 30 vjet pas zbulimit të virusit. Profesor Norbert Brockmeyer madje supozon se frika ndaj kontaktit me të infektuarit me HIV është bërë sërish më e madhe: "Kam përshtypjen se prej rreth dhjetë vjetësh qëkurse HIV nuk perceptohet në opinionin gjerman, është shtuar stigmatizimi dhe përjashtimit", thotë eksperti i Sidas nga Bochum.

Vështirësi në gjetjen e punës

Gjetja e një vendi pune mund të jetë problem për njerëzit HIV pozitiv. Këtë e tregon historia e një masazhuesi, i cili kishte aplikuar për një vend pune në një spital. Ai kishte thënë hapur se ishte HIV pozitiv. Por kjo ndikoi negativisht tek aplikimi i tij. Spitali duhej të mendohej nëse i riu ishte i përshtatshëm për atë vend pune. Të përfshirë në konsultim ishin drejtori mjekësor, mjekja e sipërmarrjes, këshilli i punonjësve dhe përfaqësuesit e burimeve njerëzore. Një nga kërkesat ishte që ai të mbante dy palë doreza mbi njëra tjetrën gjatë punës, t'i nënshtrohej rregullisht kontrolleve të gjakut tek mjekja e sipërmarrjes si dhe një trajtimi mjekësor.

Ishte një kokëçarje e pabesueshme, tregon Anja Wolff. "Ne u ulëm në një tryezë me mjekët përgjegjës dhe pyetëm: 'Cilat janë vërtet mundësitë reale që dikush të infektohet? Dhe konstatuam: nëse ky i ri nuk kryen marrëdhënie të pambrojtura me ndonjë pacient, atëherë nuk ka asnjë arsye për t'i marrë gjak çdo tre muaj." Në fund spitali pranoi, por i riu refuzoi.

Njerëz të dorës së dytë?

Një vizitë te dentisti nuk është thuajse për askënd diçka e këndshme. Por për njerëzit HIV pozitiv gjërat e pakëndshme fillojnë qëkurse duan të caktojnë një takim. Anja Wolff i njeh të tilla raste. "Ndodh shumë shpesh që njerëzit vijnë tek unë dhe thonë: dentisti e ka refuzuar trajtimin pasi jam HIV pozitiv. Ose: dentisti tha se do të trajtohesha në fund pasi janë të nevojshme masa të veçanta për të dezinfektuar dhomën pas trajtimit."

AIDS HIV-Test
Fotografi: KENZO TRIBOUILLARD/AFP/Getty Images

Pikërisht në sektorin e mjekësisë ka një masë të madhe diskriminimi dhe stigmatizimi. Por mjekët dhe personeli mjekësor janë gjithashtu vetëm njerëz. "Mjekët janë pjesë e shoqërisë dhe frikërat irracionale që ekzistojnë i kanë edhe mjekët", tërheq vëmendjen Brockmeyer. "Por ka natyrisht edhe shumë mjekë që sillen shumë hapur me të infektuarit apo të sëmurët. Për këtë arsye përvoja është aq e rëndësishme. Ata që kanë përvojë me këta pacientë e dinë se një njeri HIV pozitiv është një pacient si gjithë të tjerët. "Dhe në fund të fundit pjesa më e madhe e personave HIV pozitiv janë vetë të interesuar t'u nënshtrohen testeve.

Sqarim i pamjaftueshëm

Në Gjermani ka rreth 70.000 vetë të infektuar me HIV. Nëse marrin trajtimin e duhur me medikamente, njerëzit HIV pozitiv mund të kenë një jetë thuajse normale. Megjithatë, thotë Brockmeyer, paragjykimet dhe padija shtohen dhe me to edhe frika. "Mënyra më e mirë për ta ndryshuar këtë është kontakti me njerëz HIV pozitiv, se atëherë dallohet që është një infeksion apo sëmundje që shpesh nuk dallohet aspak, njëlloj si sëmundje të tjera virale."

HIV- und Aids-Behandlung in Malawi
Fotografi: picture-alliance/dpa

Frika nga testi

Stigmatizimi i njerëzve me HIV ka shpesh pasoja të forta, negative për ta. Kjo prek jo vetëm anën psiqike por edhe formën fizike. Frika nga përjashtimi nxit edhe frikën për t'iu nënshtruar analizave, thotë Brockmeyer. "Njerëzit që kanë një infeksion HIV duhet t'i arrijmë sa më shpejt. Vetëm kështu mund t'i trajtojmë sa më shpejt dhe kjo përmirëson në mënyrë dramatike situatën shëndetësore të të infektuarve." Pritshmëria e jetës te një HIV pozitiv është në këtë rast thuajse sa ajo e njerëzve që nuk janë të infektuar.