1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Holandë:Ndërron jetë reporteri Peter de Vries pas atentatit

15 Korrik 2021

Reporteri i kronikës së zezë në Holandë, Peter de Vries, sipas një njoftimi në media, ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra nga sulmi një javë më parë.

https://p.dw.com/p/3wXLs
Niederlande | Journalist Peter R. de Vries ist gestorben
Fotografi: ANP/AFP via Getty Images

„Peter luftoi deri në fund, por nuk arriti ta fitojë betejën", citon televizioni RTL njoftimin e familjes së gazetarit. Më tej në njoftim thuhet, „ne jemi jashtëzakonisht krenarë për të, por njëkohësisht asgjë s'mund të na ngushëllojë" për humbjen e tij.

Reporteri i njohur holandez, Peter R. de Vries, i cili u qëllua në rrugë në Amsterdam një javë më parë nuk arriti t'u bëjë ballë plagëve të marra.

Pas atentatit kryeministri, Mark Rutte ka bërë fjalë për një "atentat kundër gazetarisë së lirë."

Pas arrestimit të tre të dyshuarve, policia shpreson për zbardhjen e shpejtë të sulmit me armë. Ndërkohë është ngritur edhe një komision i posaçëm. Ende nuk është bërë e ditur, se pse u qëllua me plumba reporteri i njohur i kronikës së zezë. Gazetari ishte aktualisht edhe person i besuar i një dëshmitari kryesor në një proces të madh kundër krimit të organizuar. Peter R. de Vris është i njohur në botë për raportimet spektakolare mbi krimet.

Amsterdam | Nach Attentat auf Journalisten Peter R. de Vries
Fotografi: Ingrid Gercama/DW

Sulmi kundër gazetarit e ka tronditur Holandën. Kryeministri i vendit, Mark Rutte dhe ministri i Drejtësisë, Ferd Grapperhaus zhvilluan një takim me autoritetin kundër terrorizmit menjëherë pas atentatit. Ata nënvizuan, se "ky ishte një sulm kundër një gazetari të guximshëm dhe një sulm kundër lirisë së shtypit, që është thelbësor për demokracinë dhe shtetin ligjor", tha Rutte.

Gazetarët duhet të mund të bëjnë punën e tyre të rëndësishme pa kërcënime dhe të lirë", u shprehën Mbreti i Holandës, Willem-Alexander dhe Mbretëresha Maxima. Edhe politikanë të partive të tjera reaguan të tronditur pas sulmit.

De Vries ishte një reporter shumë i njohur i kronikës së zezë në Holandë dhe ka qenë i ftuar shpesh në televizionet holandeze. Ai është bërë i njohur në botë me botimin e librit në vitin 1987 mbi pengmarrjen e prodhuesit të birrës, Freddy Heineken.