Homeoffice: Do duhet të kthehen zyrat në apartamente?
23 Shtator 2024Edhe pas pandemisë së Coronës tendenca për homeoffice vazhdon duke e vendosur në një gjendje të vështirë tregun e pasurive të paluajtshme të zyrave në Gjermani. Sipas një sondazhi të Institutit Ifo të Mynihut, një në njëmbëdhjetë kompani në Gjermani dëshiron të zvogëlojë hapësirën e zyrave për shkak të tendencës të punës nga zyra në shtëpi. Anasjelltas, kjo do të thotë se shumica dërrmuese e hapësirva të zyrabe mbetet e pandryshuar.
Shndërrimi i hapësirave i mundur
Ky zhvillim i forcimit të homeoffice ka bërë që në vitet e fundit të mendohet si mund të përdoret hapësira e nevojshme e zyrave në shumë kompani - Sipas një studimi, dhjetëra mijëra apartamente të reja mund të krijohen si rezultat i shdnërrimit të zyrave në ambiente banimi. Vetëm në shtatë qytetet më të mëdha gjermane, shndërrimi i hapësirave për zyra mund të rezultojë në krijimin e rreth 60,000 apartamenteve të reja për një shumë të leverdisshme prej 100,000, sipas një studimi nga Instituti Mynih Ifo i prezantuar këtë javë.
Instituti kërkimor, së bashku me kompaninë konsulente të pasurive të paluajtshme Colliers, analizuan situatën në qytetet e Berlinit, Hamburgut, Mynihut, Këlnit, Frankfurtit, Shtutgartit dhe Dyseldorfit. Sipas kësaj rreth 30 për qind e hapësirës së lirë të zyrave në këto qytete mund të shndërrohet në hapësirë banimi nga pikëpamja teknike dhe konform ligjeve të ndërtimit.
Nëse llogariten së bashku ulja e pritshme e kërkesave për hapësira për zyra dhe minus sipërfaqja që do të humbasë gjatë rinovimit, rezultatet tregojnë se në rast të një sipërfaqeje mesatare apartamenti prej 77 metrash katrorë dhe një madhësie familjare prej 1.7 personash, krijohen rreth 60,000 apartamente. Megjithatë, ky konvertim shpesh nuk është ekonomikisht gjithmonë i realizueshëm, prandaj "kërkohen koncepte të ripërdorimit krijues të hapësirës”, thotë studimi, psh si konvertimet e pjesshme dhe zhvillimi i zonave.
Kuota e punës nga shtëpia e pandryshuar
Puna në Homeoffice u bë e detyrueshme në kulmin e pandemisë Corona, kjo nëse kushtet e punës e lejonin këtë. Detyrimi nuk ekziston më, por shumë kompani e kanë ruajtur opsionin dhe kanë rënë dakord për modele të caktuara me punonjësit e tyre. Sipas Ifo, kuota e përdorimit të homeoffice në Gjermani ka qenë e qëndrueshme për gati dy vjet në një të katërtën e punonjësve dhe më shumë se dy të tretat e kompanive. Studimi sugjeron se si pasojë kërkesa për hapësira për zyra do të bjerë me rreth dymbëdhjetë për qind deri në vitin 2030 në Gjermani.
la/ag