1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hotel Prishtina në Berlin

23 Qershor 2009

Teatri berlinez Hebbel am Ufer (Hau 1) më 24 dhe 25 qershor, do të shndërrohet në “Hotel Prishtina”, ku shikuesit do të kenë rastin të hedhin një sy në të përditshmen kulturore dhe sociale të shtetit më të ri ballkanik.

https://p.dw.com/p/IXSR
Hotel Prishtina
Teatri berlinez Hebbel am Ufer (Hau 1) më 24 dhe 25 qershor, do të shndërrohet në “Hotel Prishtina”.Fotografi: Büro für kulturelle Angelegenheiten Berlin

Histori rreth Kosovës rrëfen automati "Minibar Unlimited" që ndodhet në hollin e Hotelit. Kush do të dijë më shumë, mund të informohet në recepcion. Suxhukë dhe specialitete të tjera vizitorët mund të shijojnë tek i ashtuquajturi “Bar i rakisë”. Mungojnë vetëm mini-specat, që kosovari me banim në Gjermani, Sule Peçi, i kultivoi në vitin 2007, për t'ia dhuruar prezantuesit të njohur në televizionin gjerman, Stefan Raab. Por të paktën, kënga e tij për specin, mund të dëgjohet në Juke-Box-in me monedhë.


Për 48 orë, të mërkurën dhe të enjten, teatri berlinez, Hebbel am Ufer Eins, do të shndërrohet në një hotel kosovar, ku mysafirët nga Kosova do të hapin valixhet e tyre me filma, libra, muzikë e vepra arti. Shota Bukoshi ka sjellë një valixhe me filma të shkurtër, të prodhuar në Kosovën e pasluftës, artisti nga Peja, Sokol Beqiri, gazetari nga Mitrovica, Bransilav Krstiç, dramaturgu nga Prishtina, Jeton Neziraj, e shumë të tjerë kanë sjellë fotografitë e tyre më të preferuara. Kuratueset, Isabel Raabe dhe Franziska Sauerbrey, duan kështu t'u mundësojnë berlinezëve një vështrim të një lloji tjetër mbi shtetin më të ri të Ballkanit. „Për Kosovën këtu flitet vetëm në kontekstin politik. Askush nuk pyet se si është e përditshmja atje, si jetojnë kosovarët në të vërtetë, si është jeta kulturore dhe artistike”, thotë Sauerbrey.

Përgjigje ndaj këtyre pyetjeve kërkojnë tri debatet rreth politikës, artit dhe shoqërisë civile që do të zhvillohen në hollin e Hotelit në të dyja mbrëmjet. Skena e teatrit është shndërruar në një ekspozitë me vepra të Dren Maliqit, që njihet për stilin e tij provokues, sidomos në trajtimin e heronjve kombëtarë si pop-ikona. „Ne vendosëm që të zgjidhnim hotelin si skenë, për shkak të pranisë tejet të madhe ndërkombëtare që vazhdon të jetë në Kosovë, e që tekefundit ka shkaktuar ngritjen e një strukture të tërë në sektorin e shërbimeve”, thotë kuratorja, Isabel Raabe. “Këtu bëjnë pjesë edhe një numër i madh hotelesh, si vendtakime mes ndërkombëtarëve dhe kosovarëve”

Raporti mes ndërkombëtarëve dhe vendorëve është njëra nga temat e një letërkëmbimi të shkrimtares Kathrin Roeggla me dramaturgun Jeton Neziraj dhe antropologen nga Prishtina, Vjollca Krasniqi. Në qendër të tyre është figura e specialistëve të OJQ-ve ndërkombëtare, të cilët Roeggla i quan “mercenarë socialë”, duke i zhveshur kështu nga miti i altruizmit.


Edhe kosovarët e diasporës luajnë një rol të rëndësishëm në "Hotel Prishtina". Në dhomën 101 ato tregojnë historitë e tyre të shoqëruara me një album fotografik. Intervistat, që i kanë dhënë në shqip menaxherit të kulturës në Fondacionin Robert Bosch në Prishtinë, Timon Perabo, janë përkthyer në gjermanisht dhe lexuar nga aktorë profesionistë. Ndërsa në "Schatzi-TV", kosovarë me banim në Berlin tregojnë se çfarë i lidh, ose i ndan ata nga Kosova. Maratona 48-orëshe kulturore dhe artistike nga Kosova përfundon të enjten në mbrëmje me një koncert të grupit Bim Bimma dhe një party në vazhdim me DJ Flow.


Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama