1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa e lumtur është bota?

30 Dhjetor 2021

Sa e lumtur është bota? Anketuesit e Gallup International masin çdo vit lumturinë globale. Deutsche Welle bisedoi me presidentin e Gallup International, Kanço Stoyçev

https://p.dw.com/p/44vlz
Shumë afganë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pas ardhjes së talibanëve. Në foto është një grua duke gatuar dhe dy fëmijë të vegjël që shikojnë para një çadre.
Në Afganistan jetojnë njerëzit më të palumtur në botë.- Sondazhi i fundvitit të Gallup-it. Fotografi: Sayed Khodaiberdi Sadat/AA/picture alliance

Deutsche Welle: Zoti Stojçev, si ka qenë viti 2021 për Ju dhe çfarë prisni për vitin 2022?

Kanço Stojçev: Kujtesa ime ruan vetëm gjërat e mira, kështu që çdo vit është një vit i mrekullueshëm për mua. Për sa i përket të ardhmes: nëse më kujtohet mirë, ishte Ajnshtajni që tha se nëse doni ta bëni Zotin të qeshë, tregojini planet tuaja.

Është vetëm një gjë që ne e dimë me siguri: që nuk mund ta dimë të ardhmen, edhe pse kujtomë se mundemi. Kështu që e kam më të lehtë të flas për dëshirat sesa për pritshmëritë.

Unë kam pesë dëshira për të ardhmen: të mos kemi më frikë nga vdekja, të ribalancojmë botën në një mënyrë më pragmatike; ta kthejmë BE-në në tryezën e vendimmarrësve globalë; të luftojmë për lirinë tonë dhe të mos vazhdojmë të privohemi nga të drejtat tona dhe të rrimë një hap larg histerisë klimatike.

Çfarë na tregon sondazhi tradicional i Gallup International i fundvitit për vitet 2021 dhe 2022?

Ai na tregon se opinioni publik global është mjaft i shqetësuar për perspektivat ekonomike dhe pret thellimin e krizës. Ky shqetësim është më i përhapur në Europën Lindore, ku mesatarisht rreth dy të tretat e anketimve tregojnë rënie të pritshmërive. Vitin e kaluar luajti një rol pozitiv mbështetja financiare e paprecedentë e shteteve për individët dhe bizneset dhe, ajo e frenoi disi përhapjen e pesimizmit masiv. Por, siç duket, më e keqja nuk ka ardhur ende.

Viti i kaluar u shënua nga shpresa se vaksinat kundër Covid-it do t'i jepnin fund pandemisë. Megjithatë, ky vit përfundon me më shumë pyetje sesa përgjigje. Rritja e inflacionit ishte parashikuar pas shtypjes së parave në shifra rekord; por në vend të disa muajve, kjo duket se  do të vazhdojë me vite. Me ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit global dhe shpërthimin e çmimeve të energjisë, pakënaqësia masive dhe tensionet politike do të rriten, jo vetëm në vendet më pak të zhvilluara.

Cili është shteti më i lumtur në botë?

Tradicionalisht – kemi tashmë 40 vjet që kryejmë këtë studim global – vendi më i lumtur nuk është as ndër vendet më të pasura dhe as ndër vendet më të zhvilluara. Këtë vit, vjen e para Kolumbia me një rezultat prej 79%. Zakonisht, në krye të listës janë vendet me popullsi më të re. Shoqëritë më të pasura janë zakonisht më të vjetra dhe më pak të lumtura. Por të pranosh të jesh i lumtur apo i pakënaqur përfshin shumë paragjykime apo stigma mjaft specifike kulturore, psikologjike dhe kombëtare. Lumturia më së shpeshti perceptohet nëpërmjet një mungesë: mungesa e sëmundjes, e varfërisë ose e shtypjes. Është një qëndrim tejet subjektiv që nuk mund të matet, por luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë.

Infografik Happiness Index 2021
Indeksi i lumturisë, publikuar nga Gallupi në fundvit. Kolumbia është vendi më i lumtur në botë.

Vendi juaj i origjinës, Bullgaria, është vendi i dytë më pesimist në planet, më pesimist se Afganistani. Si e shpjegoni ju këtë?

Duke matur optimizmin dhe pesimizmin, ne regjistrojmë qëndrime publike – jo qëndrime personale. Gjendja tradicionale pesimiste e bullgarëve është kryesisht për shkak të mosbesimit ndaj elitave, veçanërisht elitave politike. Pesimizmi në Bullgari është realizëm; është më tepër një dënim i mënyrës së funksionimit të shoqërisë bullgare dhe, në këtë drejtim, është një qëndrim pozitiv dhe produktiv.

Çfarë tregon studimi për Gjermaninë?

Gjermanët duket se janë shumë më pak optimistë se në vitet e fundit dhe, në këtë drejtim, ata janë nën mesataren globale dhe madje edhe të BE-së. Më i lartë është edhe ankthi për ekonominë. Pothuajse 50% kanë thënë se janë të lumtur në planin personal, ndërkohë që i njëjti indeks në vendet e zhvilluara si Japonia dhe SHBA-ja është shumë më i lartë. Ajo që shihet nga sondazhi është se vetëdija e gjermanëve është disi e acaruar, e lodhur dhe, në një farë mënyre, jo e sigurt në vetvete. Në fund të kësaj mund të jetë një pasiguri komplekse – për bllokimet, vaksinat, konstelacionin e ndërlikuar të qeverisë së re, performancën e dobët të BE-së, konfrontimin e mprehtë midis Perëndimit dhe Rusisë ose për Kinën.

Kancho Stojçev - presidenti i Gallup International Association
Kancho Stojçev - presidenti i Gallup International Association Fotografi: Gallup International Association

Si ndikon pandemia e koronavirusit te shpresat dhe lumturia?

Njerëzit në mbarë botën po lodhen. Dikur planifikimi i së ardhmes zinte vendin kryesor: Në cilën festë të shkoj? Cilën makinë të blej? Për pyetje të tilla ne i dinim përgjigjet. Tani, jemi kthyer në "normalitet", në normalitetin e mirëfilltë të mosnjohjes së të ardhmes - dhe e perceptojmë këtë realitet të ri si jonormal. Ne po i humbasim iluzionet tona dhe, në të njëjtën kohë, po përpiqemi t'i zëvendësojmë ato me "fe të reja", si ndryshimi i klimës ose kulti i trupit.

Si e matni ju shpresën, lumturinë dhe optimizmin?

Shkencëtarët e sondazheve matin gjithmonë tiparet e buta dhe subjektive sepse vetëdija njerëzore si e tillë është e butë dhe subjektive. Por duke matur tiparet e buta dhe subjektive, marrim diçka shumë të fortë dhe shumë objektive, pra opinionin publik, që është një sanksion i fuqishëm kolektiv në një shoqëri demokratike, një çekiç publik. Pra, duke anketuar njerëzit në mbarë botën, ne nuk kërkojmë qëndrimet apo preferencat e tyre individuale, por përpiqemi të pasqyrojmë perceptimet publike.

Pas shumë vitesh sondazhesh dhe matjesh të lumturisë, shpresës dhe pritshmërive, a jeni vetë optimist, zoti Stojçev?

Disa nga mendimtarët më të njohur thonë se të jesh optimist dhe të jesh i mençur nuk shkon. Prandaj preferoj të mos jem optimist.

Intervistën e zhvilloi Christopher Nehring

Kanço Stojçev është president i Shoqatës Gallup International (GIA). Që nga viti 1979, anketuesit e Gallup-it  masin shpresën, lumturinë dhe pritshmëritë ekonomike në mbarë botën. Për vitin 2022, Gallup International thotë se pavarësisht nga ngjarjet e vitit të kaluar, njerëzit po e shohin të ardhmen me shpresë: 38% e të gjithë njerëzve besojnë se viti 2022 do të jetë më i mirë se 2021, ndërsa 28% presin një vit më të keq dhe 27% besojnë se viti 2022 nuk do të jetë ndryshe nga viti 2021.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria duket se është vendi më optimist: 70 përqind e të pyeturve mendojnë se 2022 do të jetë një vit më i mirë se 2021 dhe 85 % kanë thënë se janë shumë të lumtur (16%) ose të lumtur (59%).

Vendine dytë e zë Kosova: 56 përqind e të pyeturve mendojnë se viti 2022 do të jetë më i mirë se viti 2021 dhe 74 % kanë thënë se janë shumë të lumtur (29%) ose të lumtur (45%).

Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor optimistët janë pakicë: Serbi (26%), Bosnjë-Hercegovinë (31%) dhe Maqedoninë e Veriut (21%) 

Indonezia është vendi më optimist në botë dhe Turqia më pesimisti; Kolumbia është vendi më i lumtur dhe Afganistani më i palumturi.