1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapen punimet e projektit energjetik të KFW-së gjermane në Shqipëri

Arben Muka19 Qershor 2013

Hapen punimet e projektit energjetik të KFW-së gjermane në Shqipëri, por në aktivitetin inagurues nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë

https://p.dw.com/p/18t8x

Të mërkurën (19.06.2013) në mesditë në Zemblak të qarkut të Korçës u përurua fillimi i punimeve për zhvillimin e rrjetit të transmetimit 110 kiloVolt të Jugut të Shqipërisë, një investim që financohet nga qeveria gjermane nëpërmjet KfW-së, Bankës Gjermane për Zhvillim. Ky projekt energjetik ka nisur kështu Lot-in e parë që ka në fokus fuqizimin e nëntacionit 400/110 kiloVolt Zemblak, me vlerë 4.4 milionë euro. Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë është mbështetësja kryesore e projektit, por në këtë aktivitet inagurues ra në sy mungesa e përfaqësuesve nga Gjermania. Për këtë fakt ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Mueller - Holtkemper e pyetur nga Deutsche Welle dha këtë përgjigje:

"Përfaqësitë e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord, që të mbajnë një pozicion neutral gjatë fushatës elektorale dhe të mos shfaqen në anën e asnjë partie. Veç kësaj, ceremonia e inaugurimit është përcaktuar ditën e pardjeshme, në mënyrë krejt spontane dhe pa dijeninë tonë. Njoftimi mbërriti në ambasadë në mënyrë indirekte vetëm përpara pak orësh. Në parim, ne presim të informohemi në kohën e duhur rreth vendimmarrjeve të tilla, pasi në fund të fundit është fjala për një projekt partneriteti, i cili është bërë i mundur në sajë të mbështetjes së Qeverisë Federale Gjermane përmes një kredie të butë prej më shumë se 49 milionë eurosh dhe vënies në dispozicion të ekspertëve ndërkombëtarë"

Kryeministri Sali Berisha që morri pjesë në këtë ceremoni e përshkroi investimin si “autostrada energjetike e Jugut”. “Ndërtimi i asaj që quhet unaza e Jugut apo autostrada energjetike e Jugut, është i një rëndësie kapitale për t'iu përgjigjur në mënyrën më të shpjetë e të mirë, kërkesave të mëdha të zhvillimit të shpjetë të zonës jugore të vendit, për shkak të bum-it të pakrahasueshëm turistik, të iniciativës së lirë të qytetarëve të këtyre zonave, të resurseve të jashtëzakonshme energjetike që kanë lumenjtë e zonave të Jugut dhe që janë për t'u zhvilluar.”, citohet të ketë thënë kryeminsitri Berisha, në bazë të një komunikate që shpërndau të mërkurën pasdite zyra e shtypit e qeverisë në Tiranë

Gjarrmania dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim për zhvillimin ekonomik prej 25 viteve. Që nga 21 tetori i vitit 1988 në kuadër të këtij bashkëpunimi gjerman tekniko-financiar në nivel dypalësh së bashku me kontributin e Gjermanisë në kuadër të asistencës shumëpalëshe, ndihma për Shqipërinë ka arritur në më shumë se një miliardë euro. Sektorët kryesorë ku janë përqendruar projektet zhvilluese janë energjia, ujësjellës / kanalizimet, mbështetja për sipërmarrjet e vogla e të mesme, qeverisja e mirë etj.