Incidente në Jerusalem
3 Korrik 2014Gjendje e tendosur po mbretëron në veçanti në Jerusalem. Shumë të rinj palestinezë të mllefosur kanë hedhur gurë dhe gjëra të tjera në drejtim të policisë izraelite. Janë djegur edhe godina dhe goma të automjeteve. Edhe në Rripin e Gazës ka pasur protesta anti-izraelite. Ndërkohë që jugu i Izraelit është qëlluar edhe me raketa të hedhura nga Rripi i Gazës.
Izraeli dhe sulmet e reja
Forcat ajrore izraelite kanë reaguar me goditjen e 15 objektivave të Hamasit në Gazë. Ushtria pohon se janë goditur edhe objektiva, ku kishte sisteme raketore dhe magazina me armë. Të mërkuren një grup izraelitësh ka postuar në Facebook fotografi, ku kërkohet hakmarrje për vrasjen e tre të rinjve izraelitë. Hakmarrje kërkohet kundër Hamasit, i cili konsiderohet përgjegjës për vrasjen e tyre.
Të rinj, por edhe ushtarë, kanë vënë në dispozicion fotografi, njofton portali izraelit Haaretz. Grupin në Facebook me emrin "Populli izraelit do hakmarrje" deri të mërkurën në mbrëmje e kanë mbështetur 35.000 anëtarë. Ndërkohë ky grup nuk mund të gjendet në Facebook.
Nxjerrja para gjykatave
Ministrja izraelite e Drejtësisë dhe partnere në koalicion, Tzipi Livni, ka kërkuar në radion ushtarake që ushtarët e përzier në këtë fushatë online të "paguajnë çmimin e duhur", nëse duhet edhe para gjykatave. Këshilltarët juridikë dhe prokuroria e kanë për detyrë të hetojnë "thirrjet për urrejtje" dhe "apelet për dhunë ndaj të pafajshmëve" në rrjetet sociale. Kjo vlen si për thirrjet kundër hebrejve, ashtu edhe për fushatat kundër arabëve.
Të mërkurën në mëngjes është vrarë një palestinez i ri 16 vjeçar në lindje të Jerusalemit. Trupi i tij është djegur. Thuhet se ai është rrëmbyer më parë, që ka rezultuar me përleshjet e shumta mes të rinjve arabë dhe forcave izraelite të sigurisë. Hamasi radikal islamik ka paralajmëruar hakmarrje për shkak të vrasjes të të riut. Udhëheqësia izraelite do ta "paguajë çmimin" për këtë dhe krimet e tjera, kumtoi organizata.
Vrasja e 16 vjeçarit është dënuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare. Sekretari i Pëgjithshëm i OKB Ban Ki Moon kërkoi në Nju Jork që vrasja të zbardhet sa më parë dhe përgjegjësit të nxirren para drejtësisë. Ndërkohë për fjalë është paraqitur edhe Yishai Fraenkel, axha i të riut të vrarë izraelit, Naftali Fraenkel. Ai e ka dënuar shumë qartë vrasjen e të riut palestinez. "Vrasja është vrasje, pavarësisht se çfarë kombësie, apo moshe i përket personi", theksoi ai, citon Haaretz.com. "Vrasjet janë të pafalshme, të pashpjegueshme dhe të papendueshme".