Irani kërcënon me vazhdimin e programit atomik
4 Maj 2018Irani nuk ka dëshirë që të zhvillojë negociata të reja për marrëveshjen ndërkombëtare atomike. Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohhamad Javad Zarif tha në një video të publikuar në YouTube dhe në Twitter se vendi i tij as do të negociojë dhe as do ta pranojë marrëveshjen.
Në rast të braktisjes së Marrëveshjes nga Presidenti i SHBA Donald Trump, Irani do të tërhiqet nga ajo. "Po të largohen SHBA nga Marrëveshja, as ne nuk do të rrimë,"tha Ali Akbar Velajati, këshilltari për politikën e jashtme i kreut fetar të Iranit, Ayatollah Ali Chamenei, sipas televizionit shtetëror.
Ndryshim i bashkëpunimit me IAEA
"Po të dalin SHBA nga Marrëveshja do të thotë se nuk ka më marrëveshje", i tha edhe Ambasadori i Iranit në Londër, Hamid Baeidinedschad CNN-it. Në këtë rast, vendi i tij është "i gatshëm të kthehet në gjendjen e mëparshme".
Kjo do të sillte edhe marrëdhënie të reja me Organizatën Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore IAEA, tha diplomati. Si masa të mundshme diplomati përmendi rinisjen e pasurimit të uraniumit.
Marrëveshja atomike e Vjenës e vitit 2015 midis Iranit dhe pesë fuqive me të drejtë vetoje të OKB-së dhe Gjermanisë synon të pengojë që Teherani të fitojë aftësitë për të zhvilluar armë atomike. Në bazë të Marrëveshjes, Teherani e ka reduktuar dukshëm pasurimin e uraniumit dhe ka lejuar kontrolle më të ashpra të IAEA.