1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani përgatitet të shkelë kufirin e pasurimit të uraniumit

18 Qershor 2019

Irani sinjalizon synimin për të kapërcyer kufizimet për pasurimin e uraniumit. Zyrtarët iranianë thanë se garantuesit evropiane ende kanë kohë ta shpëtojnë marrëveshjen para se ajo të shkelë "kufirin prej 300 kg".

https://p.dw.com/p/3KcHR
Iran | Präsident Hassan Rohani
Fotografi: picture-alliance/abaca/Parspix

Irani të hënën tha se do të kapërcejë kufirin e rezervave të tij të uraniumit të pasuruar në nivel të ulët deri më 27 qershor, një lëvizje që ka gjasa të keqësojë tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit. "Ne e katërfishuam shkallën e pasurimit dhe madje e rritëm atë edhe më shumë kohët e fundit, kështu që për 10 ditë ajo do të kalojë kufirin prej 300 kilogram", tha Behrouz Kamalvandi, zëdhënës i Organizatës së Energjisë Bërthamore të Iranit.   

Zyrtarët iranianë u kanë bërë thirrje garantuesve evropiane të marrëveshjes bërthamore - Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar - të shpëtojnë marrëveshjen me shtetet nënshkruese Kinën dhe Rusinë.

Nën presion

Megjithatë, përpjekjet evropiane për të anashkaluar sanksionet e SHBA, duke krijuar një mekanizëm tregtar nuk kanë arritur të tërheqin Teheranin. Udhëheqësi suprem iranian Ajatollah Ali Khamenei i quajti ato një "shaka të hidhur".

"Rezervat e Iranit po rriten çdo ditë me një ritëm më të shpejtë. Po të jetë e rëndësishme kjo për Evropën, për të shpëtuar Marrëveshjen, ata duhet të bëjnë përpjekjet më të mëdha", tha Kamalvandi. "Sapo të kryejnë angazhimet e tyre, gjërat natyrisht kthehen në gjendjen fillestare".

Fund i marrëveshjes bërthamore?

E konsideruar një vepër mjeshtërore e diplomacisë së shekullit të 21-të, marrëveshja ndërkombëtare me Iranin kufizoi programin bërthamor të Republikës Islamike në këmbim të lehtësimit të sanksioneve paralizuese, të cilat u vendosën nga frika se Irani do të krijonte një arsenal bërthamor.

USA Donald Trump zum Atomdeal mit Iran
Trump hoqi dorë me një memorandum nga marrëveshja atomike vitin e kaluarFotografi: picture-alliance/Xinhua/T. Shen

Muajin e kaluar, presidenti iranian Hassan Rouhani njoftoi se brenda 60 ditëve, Irani do të rifillonte pasurimin e uraniumit në nivel të lartë, po të mos mbrohen nga sanksionet sektorët e naftës dhe bankat e Iranit. Presidenti Hassan Rohani u ka vendosur palëve të mbetura të marrëveshjes - Kinës, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë - një ultimatum deri në 7 korrik. Deri atëherë, ata duhet të zbatojnë marrëveshjen bërthamore në përputhje me kontratën. Po të mos ketë zgjidhje deri në korrik, Irani dëshiron të rifillojë pasurimin e pakufizuar të uraniumit.

Të hënën Rouhani tha, se garantuesit evropianë ende kanë kohë ta shpëtojnë marrëveshjen. "Është një moment vendimtar dhe Franca ende ka mundësi të punojë me shtetet e tjera nënshkruese të Marrëveshjes dhe të luajë një rol historik, për ta shpëtuar marrëveshjen në kohë shumë të shkurtër", tha Rouhani në takim me ambasadorin e Francës në Iran.

Shtetet e Bashkuara u larguan në mënyrë të njëanshme nga Marëveshja Bërthamore në fillim të majit 2018. Me sanksionet e ashpra ndaj sektorit të naftës dhe bankave iraniane, ato duan ta detyrojnë Teheranin ta rinegociojë marrëveshjen dhe të bjerë dakord për rregulla më të rrepta. Deri tani Irani refuzon ta bëjë këtë.

Që kur Presidenti i SHBA Donald Trump e hoqi mbështetjen e tij për marrëveshjen bërthamore me Iranin, Uashingtoni u ka bërë presion aleatëve të tij evropianë për të bërë të njëjtën gjë për të izoluar Teheranin. Por nënshkruesit evropianë kanë argumentuar, se qeveria iraniane ka vazhduar ta respektojë marrëveshjen.