Isabel Allende për DW: Migrantët e pasurojnë një vend
10 Gusht 2019Shkrimtarja nga Kili, Isabel Allende ka shitur mbi 74 milionë libra në mbarë botën. Ky vit ka qenë për të plot përvoja me emocione të forta në jetën personale dhe atë profesionale: vdekja e prindërve, botimi i romanit të ri "Kjo udhë e largët" dhe një martesë e re para pak javësh. Në intervistë për DW ajo flet lidhur me librin e saj të ri dhe jetën e saj, që karakterizohet pikërisht prej migracionit ashtu si edhe historia e romanit "Kjo udhë e largët".
Në emigracion: Të vëzhgosh me vëmendje
"Unë kam jetuar si një e dëbuar", thotë ajo duke iu referuar fëmijërisë dhe rinisë së vet si bija e një diplomati, që pas puçit ushtarak në Kili u arratis në Venezuelë, përpara se të vendosej në SHBA. "Eshtë mirë, që të jesh në një mjedis të huaj, kur shkruan. Kjo të nxit që ta vëzhgosh botën e të dëgjosh me më shumë vëmendje", thotë ajo.
Historinë e anijes "Winnipeg", që më 1939 u nis prej poetit Pablo Neruda, për të çuar mbi 2000 republikanë spanjollë pas luftës civile në Spanjë për në Kili, Allende e njeh qysh në rininë e saj. Edhe familja e saj ka pasur miqësi me migrantë, të cilët askohe kishin ardhur me këtë anije.
"Në fakt unë nuk kish menduar të shkruaj për 'Winnipeg', por fillova që ta ndiej në ajër temën e migracionit, që në fakt ka ekzistuar gjithmonë. Kur ajo preku portat e Europës, ky ishte një lajm për autoren që kishte përjetuar vet migracionin. Kjo ishte temë edhe në SHBA, ku me Donald Trump-in situata është përkeqësuar ndjeshëm", thotë Allende.
"Këto gjëra mua më influencojnë në mënyrë të pavetëdijshme ndaj dhe pasqyrohen në librat e mi. Unë kam shrkuar ndërkohë tre libra për të dëbuarit", thotë ajo duke iu referuar edhe dy romaneve të tejra "Dashnori japonez" dhe "Një verë e paharrueshme".
Migrantët si pasuri për një vend
Autorja kritikon qendrimin e "qeverive populiste, që ngjallin urrejtjen dhe frikën". Në SHBA, që janë themeluar vet prej migrantëve, në çdo kohë ka pasur etni e grupe, që janë diskriminuar, ashtu sikurse po ndodh sot p.sh. me latinot. "Por sapo një person është asimiliuar, ai kontribuon shumë për shoqëinë dhe është një pasuri për vendin."
Historia e refugjatëve spanjollë të "Winnipeg" ia konfirmoi asaj këtë mendim, thekson Allende. Asokohe ka pasur rezistencë të fortë nga ana e kishës katolike dhe konservatorëve nga frika prej refugjatëve "komunistë, anarkistë, liberalë dhe ateistë". "Por ata u integruan shpejt dhe menjëherë u bënë pjesë e vendit. Kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm", thotë Isabel Allende.
11 Shtatori i Kilit
11 Shtatori 1973 ndryshoi përgjithmonë jetën e shumë kilianëve: Kryekomandanti i forcave të armatosura, gjenerali Augusto Pinochet, bën puç kundër presidentit socialist, Salvador Allende. Ushtarakët bombardojnë pallatin e presidentit "La Moneda" në kryeqytetin Santiago, arrestojnë besnikët e qeverisë, të majtët dhe kundërshtarët e Pinochet-it.
Bisedë me një dëshmitar të kohës
"Ndonjëherë unë ngulitem tek një histori, të cilën nuk më duhet ta shpik. Gjithçka është e kapshme, mua më duhet vetëm ta shkruajë atë", thotë autorja. Kështu ndodhi edhe me romanin "Kjo udhë e largët". Në emigracion në Venezuelë, shumë dekada pas lundrimit në Atlantik të "Winnipeg", Isabel Allende takoi Victor Pey, i cili e frymëzoi atë për një ndër protagonistët e romanit. Inxhinieri dhe gazetari Pey ishte asokohe një refugjat i ardhur me anije, i cili u miqësua me Pablo Neruda-n e më vonë edhe me presidentin kilian Salvador Allende.
"Ai ishte i brezit të prindërve të mi, një njeri i tërhequr, pothuajse misterioz, por ne u bëmë miq të mirë dhe ai më tregonte mua për odisenë e tij, luftën civile, arratinë dhe arratinë për së dyti pas puçit në Kili më 1973. Historia e figurës kryesore të romanit rrjedh në formë rrethi po ashtu si jeta e Pey-së. Ai shfaqet në roman përmes një truku të synuar letrar, por në të vërtetë ashtu ka ndodhur", thotë ajo. Mijëra viktima të represionit u larguan nga Kili pas puçit ushtarak, ashtu siç kishte ndodhur edhe 40 vjet më parë në Spanjë. Pey ndërroi jetë tetorin e kaluar në moshën 103 vjeçare, vetëm gjashtë ditë përpara se Isabel Allende të mund t'ia dërgonte manuskriptin, që ia kishte dedikuar atij.
Roli i Pablo Nerudas
Një tjetër figurë e rëndësishme në roman është Pablo Neruda, përpjekjet e të cilit në konsullatën e Kilit në Paris bënë të mundur që refugjatët spanjollë të arratiseshin drejt Kilit. Titulli i origjinalit të romanit në spanjisht është "Largo pétalo de mar" duke iu referuar një poezie të Pablo Nerudas. "Vepra e Pablo Nerudas më ka shoqëruar mua gjatë gjithë udhëtimit tim. Shumica e librave të mi janë shkruar në SHBA, ku unë jetoj dhe lexoj në anglisht. Neruda më jep mua mundësinë, që të mbaj zgjuar gjuhën dhe pejzazhet e Kilit."
Allende shprehet edhe për akuzat e grupeve feministe ndaj Nerudas, se ai ka qenë një Macho dhe i dhunshëm. Ajo është e mendimit, që "vepra nuk duhet gjykuar mbi bazën e jetës private të krijuesit të saj". Vepra letrare do të jetë një trashëgimi e njerëzimit, e kushdo që e ka krijuar atë, mund të jetë edhe një njeri i dështuar, ashtu siç mund të jemi edhe të gjithë ne të tjerët, mendon Allende.
Të dëgjosh në vend që të gjykosh
Ashtu si në romanet e mëparshme edhe në librin e ri të saj ka protagonistë të fuqishëm. Në këtë rast është pianistja, e cila erdhi në Kili me anijne e refugjatëve dhe u bë dekane e një shkolle muzike. "Unë njoh shumë gra të guximshme dhe të afta, që nuk më mundojnë aspak për t'i përshkruar", thotë Allende dhe i referohet fondacionit të themeluar prej saj, i cili mbështet financiarisht kryesisht gratë dhe fëmijët e komunitetit latin në Kaliforni.
Një integrim i suksesshëm, ai i të arratisurve me "Winnipeg" në Kili, kërkon edhe shmangien e paragjykimeve ndaj migrantëve. "Eshtë e rëndësishme t'i shohësh ata në sy, të dëgjosh historitë e tyre dhe të hapesh ndaj tyre. Përse kemi frikë nga e huaja? Problemi nuk zgjidhet me mbylljen e kufijve dhe ndërtimin e një muri, por duke i përmirësuar kushtett e jetesës së njerëzve në vendet e tyre."
Romani "Kjo udhë e largët", botimi i të cilit përkon me 80 vjetorin e mbërritjes së anijes "Winnipeg" në Kili, sapo është përkthyer edhe në gjermanisht. Isabel Allende nis në vjeshtë një tur leximi të romanit në disa qytete të Gjermanisë.
Me Isabel Allenden bisedoi për DW Victoria Danemann