1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ischingeri dëshiron një "shans të fundit për diplomacinë"

17 Maj 2019

Shqetësimet për përshkallëzimin në Lindjen e Mesme po shtohen. Kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Wolfgang Ischinger, ka propozuar një konferencë ndërkombëtare paqeje për të frenuar kërcënimin e luftës.

https://p.dw.com/p/3IcNL
München MSC 2018 | Wolfgang Ischinger
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Hoppe

Wolfgang Ischingeri e drejton që prej më shumë se dhjetë vjetësh Konferencën e Sigurisë së Mynihut, konferencë e cila tani është forumi kryesor në botë për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Dhe më herët, Ischinger ka qenë aktiv edhe në diplomacinë praktike, për shembull si ambasador gjerman në Londër dhe Uashington.

Prandaj, për gazetën më të madhe bulevardeske të Gjermanisë"Bild" ia vlejti që ta botonte në faqen e parë atë që ka propozuar tani Ischingeri: Kancelarja Angela Merkel, tha Ischingeri për gazetën, duhet të angazhohet së bashku me udhëheqësit politikë të Francës, Britanisë, SHBA, Kinës dhe Rusisë për një konferencë ndërkombëtare të paqes, për të zbutur konfliktin që kërcënon midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Ndoshta shansi i fundit për diplomacinë"

Po do të ndodhë një samit i tillë, atëherë "presidenti iranian me siguri do të mendohet dy herë për refuzimin e një oferte të tillë bisedimesh", tha Ischingeri, i cili mendon se rreziku i një përshkallëzimi të situatës është shumë i madh: "Mund të mjaftojë edhe një shkëndijë e vogël ose një keqkuptim ushtarak, për ta bërë gjithçka të shpërthejë". Ischinger shtoi më tej, se me sa duket në Uashington ekzistojnë pikëpamje shumë të ndryshme a ka me të vërtetë kuptim një përshkallëzim i mëtejshëm. "Një konflikt tjetër të armatosur në Gjirin Persik, me dhjetëra mijëra ushtarë amerikanë, këtë nuk e duan shumë. Ky është një shans për diplomacinë, ndoshta i fundit për të shpëtuar marrëveshjen e Iranit".

Nouripour: "Gjithçka tjetër çon në luftë"

Konflikti u acarua kohët e fundit nga fakti se as Irani nuk ndihet më i lidhur me pjesë të marrëveshjes bërthamore me SHBA, Francën, Britaninë e Madhe, Kinën, Rusinë dhe Gjermaninë. SHBA, e cila e pati braktisur një vit më parë marrëveshjen, për këtë shkak ashpërsoi sanksionet dhe ka shtuar praninë e ushtarake në rajon. Dhe prandaj eksperti i politikës së jashtme i Grupit Parlamentar të të Gjelbërve, Omid Nouripour, beson se Evropa duhet të ndërmarrë urgjentisht veprime. Iniciativa e Ischingerit është e mirë: "Çdo propozim për t'i dhënë fund mungesës së dialogut midis Iranit dhe SHBA është një sugjerim i mirë. Çdo gjë tjetër çon në luftë", tha Nouripouri në bisedë me DW.

Brok: "Çfarë duhet të negociohet atje?"

Në fakt u bë e qartë edhe të enjten, në një debat në parlamentin gjerman se shumë ekspertë të jashtëm pothuajse të të gjitha partive nuk e konsiderojnë të vogël rrezikun e luftës. Ngjashëm e sheh këtë edhe eurodeputeti i CDU-së, Elmar Brok. Megjithatë, ai është skeptik nëse do të ketë sukses iniciativa e Ischingerit, madje edhe nëse do të arrihet një takim. DW ai i tha: "Çfarë duhet të negociohet atje? SHBA thonë: Marrëveshja bërthamore është pa dobi, Irani duhet të bëjë ende lëshime në fusha të tjera. Kurse Irani thotë: ne nuk do të bëjmë as marrëveshjen bërthamore dhe as gjëra të tjera"

Para së gjithash, sanksionet dhe presioni i SHBA edhe ndaj sipërmarrjeve europiane, për të mos bërë tregti me Teheranin e kanë bërë tashmë gjendjen aq të vështirë, shtoi Brok në Berlin: "Tregtia perëndimore me Iranin në gjysmën e parë të vitit ra më shumë se 50 përqind. Kjo është dramatike. Po të shikosh situatën ekonomike në Iran, është e qartë se Presidenti Rohani nuk ka më mbështetjen e ithtarëve të vijës së ashpër".

Drejtoresha e Qendrës Kërkimore "Këshilli gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë" (DGAP), Daniela Schwarzer, mendon se detyrim tani ka veçanërisht Evropa. SHBA dhe Irani kanë marrë një kurs të fortë konfrontimi. Dhe kjo do të thotë, sipas Schwarzer se:"Evropianët duhet të investojnë shumë tek të dyja palët, për t'i bindur ata që të vijnë në tryezë. Por kjo nuk është e përjashtuar, kështu funksionon diplomacia", i tha Schwarzer DW.

Në fillim të vitit 2016, tri vjet e gjysmë më parë, hyri në fuqi marrëveshja bërthamore me Iranin, pas negociatave të gjata. Thelbi i saj: Irani redukton programin e tij bërthamor, Perëndimi, Kina dhe Rusia heqin dorë nga sanksionet. Por që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga Marrëveshja një vit më parë, konflikti po përkeqësohet gjithnjë e më shumë.

 

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau