1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder i hiqen privilegjet

18 Maj 2022

Në një kërkesë të përbashkët drejtuar komisionit buxhetor të Bundestagut, kërkohet që ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schröder t'i shkurtohen ndjeshëm të drejtat e posaçme si ish-kancelar.

https://p.dw.com/p/4BSHK
Gerhard Schöder
Fotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopress/picture alliance

Në Partinë Socialdemokrate, SPD ka ende anëtarë që i janë mirënjohës Gerhard Schröderit. Për shembull Jo-ja e tij për luftën në Irak pati shumë përkrahës. Ende flitet në këtë parti, se drejtuesja e atëhershme e grupit parlamentar të CDU/CSU, Angela Merkel do t'i kishte dërguar ushtarët gjermanë në luftë. Por pas këmbënguljes së Schröderit për mosdorëzimin e mandateve që ka në koncernet ruse, edhe SPD-së i humbi durimi. Partnerët e koalicionit, SPD, Të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) së bashku duan tani t'ia heqin privilegjet ish-kancelarit.

Gerhard Schöder
Gerhard Schöder, tifoz i futbollit duke parë një ndeshje në stadium Fotografi: localpic/imago images

Në këtë kërkesë thuhet, se zyra që ka në dispozicion ish-kancelari në Bundestag do të mbyllet. Po ashtu i kërkohet qeverisë që të verifikojë që privilegjet e tjera të rrjedhin nga detyrimet që vazhdojnë pas postit, dhe jo të jenë të lidhura me statusin. Me këtë vendosen kritere që vlejnë edhe për ish-kancelarët e tjerë dhe ata të ardhshëm. Kush punon në funksion të postit të tij të mëparshëm, si për shembull ka patronazhe apo mban fjalime e udhëtime diplomatike, mund të mbështetet në burimet që ofron Bundestagu, kush nuk e bën këtë në të ardhmen nuk do t'i gëzojë këto privilegje. Kontratat e vendeve të punës që janë rezervuar për ish-kancelarin në Bundestag do të vazhdohen deri më 19.maj 2022. Personeli i mbetur do të merret me përmbylljen e detyrave të zyrës dhe më pas do të kalojë në poste të tjera.

Schröderit i lejohet truproja

Ish-kancelarit gjerman me sa duket do t'i lejohet truproja. Kjo në rast të vlerësimit të gjendjes së sigurisë për ish-kancelarin sipas Zyrës Federale të Kriminalistikës. CDU dhe CSU kishin kërkuar që ish-kancelarit t'i hiqen edhe pagesat që rrjedhin pas mandatit. Sipas informacioneve të ARD-së, socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët e kanë verifikuar këtë hap nga ana juridike dhe në fund nuk e futën në kërkese, sepse ka shumë gjasa, që kërkesa e Unionit CDU/CSU të mos përputhet me kushtetutën.

Russland Moskau Eröffnung Fußball WM 2018 | Gerhard Schröder und Wladimir Putin
Fotografi: A. Druzhinin/TASS/dpa/picture-alliance

Schröder është kritikuar ashpër në Gjermani, sepse megjithë agresionin rus kundër Ukrainës, ai nuk hoqi dorë nga postet e tij në koncernet e rëndësishme ruse. Ai punon ende për koncernin shtetëror Rosneft dhe shoqërinë e gazsjellësit Nord Stream 2 AG. Në një intervistë të kontestuar për "New York Times" Schröder e vlerësoi luftën si gabim, por nuk u distancua nga miku i tij, presidenti Putin. Më pas kryetarja e SPD-së, Saskia Esken kërkoi që Schröder pas 60 vjetësh anëtarësi në SPD të dorëzojë dokumentin e anëtarësisë.

la/tgsch