1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ISIS, lufta dhe nafta

Kersten Knipp7 Korrik 2014

Xhihadistët e ISIS shesin naftë nga zonat e pushtuara. Në këtë mënyrë ata nxisin dhunën në rajon. Bizneset e tyre mund të ulin ämimet e naftës në një afat të shkurtër.

https://p.dw.com/p/1CWtW
Kampf um Baidschi Öl-Raffinerie im Irak
Fotografi: picture-alliance/dpa

Dje Al-Omar dhe sot Al-Tanak: grupi terrorist, Shteti Islamik në Irak dhe Siri (ISIS), bën përparime të mëdha në pushtimin e fushave të rëndësishme siriane të naftës. Së bashku me fushën e naftës Axhil në Irak, që terroristët e pushtuan në fund të qershorit, ata zotërojnë zona të tëra të nxjerrjes së naftos në kufirin sirian-irakian. Të enjten (03.07.2014) xhihadistët, sipas njoftimeve të mediave, filluan të shesin naftën nga Iraku.

Meqenëse ISIS nuk mund ta ofrojë naftën në treg të rregullt, organizata e shet atë në tregun e zi. Sipas agjencive të lajmeve ministri i jashtëm francez Laurent Fabius fajësoi organizatën terroriste, se po ia shet naftën regjimit të Bashar al-Assadit. Para së gjithash ISIS me sa duket është i interesuar të ketë të ardhura sa më të larta dhe të armatoset për luftërat e ardhshme. "Luftëtarët e ISIS ia shesin naftën kujtdo, që ka interes për të", i tha agjencisë së lajmeve Anadolu guvernatori i qytetit Tuz Khurmatu në Irakun e Veriut: "Ata kanë nevojë për armë dhe municion."

Shitja mund ta zgjerojë kaosin në rajonin e shkatërruar nga lufta. Regjimi i Assadit nuk mund të mbushë tanket me naftë dhe t'i drejtojë kundër kryengritësve. Dhe paratë, që ISIS merr për naftën, grupi terrorist mund t'i shfrytëzojë për pushtime të mëtejshme në Siri dhe Irak. Një rrezik i lartë për regjimin në Damask, sepse në luftë kundër kryengritësve sekularistë xhihadistët janë partnerë të përkohshëm. Problemi i tyre nuk është qëndrimi i Assadit në pushtet. Qëllimi i tyre është që të zmadhojnë territorin e kalifatit të shpallur në fundjavë. Që tani ai shtrihet nga kufiri irakian deri në kufirin turk. Në Irak terroristët po e zgjerojnë zonën e sundimit në jug.

Luftëtar i ISIS në një paradë në qytetin sirian Raqqa
Luftëtar i ISIS në një paradë në qytetin sirian RaqqaFotografi: Reuters

Pasojat në tregun e punës

Fusha e naftës Al-Omar ndodhet që nga nëntori 2013 në duart e xhihadistëve. Në atë kohë atë e kishte pushtuar fronti Al-Nusra, që ia ka dorëzuar tani ISIS. Që atëherë atje nxirren 10.000 në ditë.

Pushtimet e fundit jo vetëm që nxisin dhunën, por shkaktojnë edhe pasiguri në tregun ndërkombëtar të naftës. Që në maj agjencia ndërkombëtare energjetike e pati cilësuar Irakun si një nga eksportuesit më të rëndësishëm të naftës në të ardhmen. Deri në vitin 2035 agjencia pret një prodhim vjetor prej nëntë milionë barrel, që do të ishin tre herë më shumë 3,3 milionë barrel, që nxirren tani. Në këtë mënyrë Iraku do të bëhej në të ardhmen një eksportues më i rëndësishëm nafte se Arabia Saudite. Por këto pritje i saboton tani ISIS me fitoren e tij. Luftëtarët e tij momentalisht mund të gëzohen për të ardhurat e larta nga tregtia e naftës. Por nën sundimin e ISIS nuk ka gjasa që të gjenden kompani të nxjerrjes së naftës, që do të ishin të gatshme të investonin në Irak. Që tani, shkruajnë politologët amerikanë Gal Luft dhe Robert McFarlane në një artikull për "Wall Street Journal", vetëm 15 përqind e investimeve do të shkonin për fushat e reja të nxjerrjes së naftës në Lindjen e Afërt. "Nëse Iraku zhytet gjithnjë e më thellë në një luftë civile, investimet do të vazhdojnë të bien dhe do të çojnë në reduktime të mëtejshme të sasisë së nxjerrjes së naftës", thonë politologët.

Zona të pushtuara nga ISIS në Siri dhe Irak
Zona të pushtuara nga ISIS në Siri dhe Irak

Irani si përfitues

Megjithëse fushat më të mëdha të naftës në jug të Irakut, pra në zonën shiite, nuk janë të kërcënuara seriozisht, përparimi i ISIS mund të çojë në ndryshime të mëtejshme në tregun ndërkombëtar të naftës. Lufta kundër ISIS mund të jetë e suksesshme vetëm, nëse do të përfshihej edhe Irani, mendon politologu Paul Stevens nga think tank-u britanik Chatham House. Edhe pse Irani ka një interes të fortë të parandalojë lindjen e një kalifati radikal sunit në kufirin veriperëndimor të tij, ai duhet të presë një farë kompromisi nga komuniteti ndërkombëtar për angazhimin e tij. Zhvillimi në Irak të krijon përshtypjen se një marrëveshje e tillë duket pothuajse e detyrueshme, thotë Paul Stevens. Kjo duhet të përfshijë edhe heqjen e sanksioneve: "Kjo do t'i mundësojë Iranit që të hapë urgjentisht impiantet e tij të nxjerrjes dhe prodhimit për investime të nevojshme."

Rol i ri për Arabinë Saudite

Orientimi i ri drejt Iranit duhej të trëmbte një partner të deritanishëm të perëndimit: Arabinë Saudite. Nëse kryeministri irakian Nuri al-Maliki qëndron në detyrë, dhe në sajë edhe të ndihmës nga Irani fiton mbi ISIS, Arabia Saudite, fuqia udhëheqëse e muslilmanëve sunitë, duhet të pajtohet me një prani të fortë shiite në kufijtë e saj. Politikisht mbretëria mund të bëjë pak kundër afrimeve të reja amerikano-iraniane, thotë Stevens. Një mundësi do të ishte që të ulte çmimet e naftës. Për këtë Arabia Saudite do të ishte menjëherë në gjendje: "Kjo do ta dëmtonte Iranin dhe Irakun, që të dy kanë nevojë të mënjehershme për të ardhura."

ISIS sjell frikë dhe tmerr në rajon. Përfituesit do të ishin që paku për një kohë të shkurtër blerësit në tregun ndërkombëtar të naftës.