1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KonflikteSiri

Islamistët premtojnë stabilitet dhe qetësi në Siri

11 Dhjetor 2024

Liderët e rinj në Siri kanë deklaruar se nuk do të ketë luftë të re. Në vend të kësaj, bëhet fjalë për stabilitet - lideri i islamistëve shfaqet i moderuar. Por vëzhguesit janë skeptikë.

https://p.dw.com/p/4o0k7
Mohammad al-Bashir duke folur në kabinet
Mohammad al-Bashir drejton mbledhjen e parë të kabinetit pas rrëzimit të AssaditFotografi: Stringer/SANA/AFP

Pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Asadit nga kryengritësit islamikë, nuk është ende e qartë se në cilin drejtim do të evoluojë Siria - a po stabilizohet vendi pas viteve të luftës civile apo rrezikon edhe më shumë kaos? Po të besojmë liderin e islamistëve fitimtarë, sirianët tani mund të presin qetësi.

Ahmed al-Sharaa, i cili më parë prezantohej me emrin e tij të luftës, Abu Mohammed al-Xholani (Golani), tani ka siguruar se vendi nuk do të përjetojë një luftë tjetër. "Njerëzit janë të lodhur nga lufta," i tha kryeministri i ri, televizionit Sky News, gjatë një vizite në një xhami në Damask. “Prandaj vendi nuk është gati për një luftë tjetër dhe nuk do të vuajë sërish.” 

Frika e vendeve perëndimore se gjakderdhja do të vazhdojë në Siri pas rënies së Asadit është "e panevojshme". Rreziku do të vinte nga qeveria e Asadit dhe milicitë pro-iraniane. "Eleminimi i tyre është zgjidhja," tha Al-Sharaa.

Al Sharaa, me rroba ushtarake duke folur në një xhami
Abu Mohammed al-Xhulani (Golani) i njohur tani me emrin e tij civil, Ahmad al-SharaaFotografi: Omar Albam/AP/dpa/picture alliance

Al-Bashir merr drejtimin e qeverisë kalimtare 

Përsa i përket personelit, gjërat janë gjithnjë e më të qarta: Guvernatori i deritanishëm në bastionin e kryengritësve islamistë, Idlib, një krahinë në veriperëndim të Sirisë, në kufi me Turqinë, Mohammed al-Bashir, ka marrë në dorë drejtimin e një qeverie kalimtare të Sirisë. Në një takim në Damask, ai, lideri Al-Sharaa dhe ministrat e qeverisë aktuale diskutuan tranzicionin.

Detyra është një “sfidë e madhe”, tha Al-Bashir. Kjo është një zgjidhje e përkohshme – “derisa të zgjidhen çështjet kushtetuese”. Ai tha se shpreson se ministrat aktualë do të mbështesin qeverinë e re gjatë kësaj periudhe tranzicioni. “Detyrat e qeverisë kalimtare janë ruajtja e sigurisë, ruajtja e stabilitetit të institucioneve dhe parandalimi i shpërbërjes së shtetit".

Në një intervistë me kanalin televiziv Al-Jazeera, Al-Bashir tha se tani është koha që njerëzit të "gëzojnë stabilitet dhe qetësi" dhe të mësojnë se qeveria po ofron shërbimet që u nevojiten.

Eksperti gjerman: Islamistët synojnë instalimin e regjimit fetar

A po shkon Siria tani drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës? Peter Neumann, ekspert i terrorizmit, dyshon për këtë. "Udhëheqësi i rebelëve, Al-Sharaa, sigurisht që hoqi dorë nga rrjeti terrorist, Al-Kaeda vite më parë, por grupi i tij mbetet i lidhur me islamizmin dhe synon të vendosë një lloj regjimi fetar në Siri," tha ai për kanalin e dytë gjerman, ZDF.

Përfaqësuesi i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, i bëri thirrje milicisë islamiste, HTS, dhe aleatëve të saj që t'i zbatojnë me vepra "mesazhet e tyre pozitive" të unitetit për popullin sirian. Aktualisht, Siria kontrollohet nga një “mozaik” grupesh. “Është e rëndësishme të shmangen konfliktet mes grupeve,” tha ai.

Shefja e re e marrëdhënieve me jashtë të BE-së, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se Siria nuk duhet të kthehet në një Irak, Libi apo Afganistan i dytë. Ne duhet të shmangim dhunën sektare, si dhe ringjalljen e ekstremizmit dhe një vakum qeveritar, tha Kallas.

Përgatiti: AUD (me materiale nga ARD dhe ZDF)