Ismail Kadare në 75 vjetorin e lindjes
28 Janar 2011Deutsche Welle: Veprat e Kadaresë vazhdojnë të përkthehen në mbi 30 gjuhë të botës. Edhe në gjermanisht shkrimtari ka rrjeshtuar mbi dhjetë romane, disa poezi dhe ese. Romanet si "Ura me tre harqe", "Pallati i ëndrrave", Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Prilli i thyer", "Spiritus", "Pasardhësi", "Darka e gabuar", e tjerë kanë ardhur në gjermanisht nga përkthyesi Joachim Röhm.
Për përkthimet e tij gazeta "Die Welt" në vitin 2002 do të shkruante: "Vetëm në Gjermani .....Ismail Kadare ende nuk është bërë i njohur sa duhet të jetë. Tani kjo do të ndryshojë falë përpjekjeve të dy botuesve dhe një përkthyesi, Joachim Röhm, puna e të cilit është aq bindëse sa që lexuesit gjermanë për asnjë moment nuk do të kenë përshtypjen se këtu bëhet fjalë për një tekst të përkthyer".
Përkthyesi Joachim Röhm: Për Ismail Kadarenë flet integriteti letrar i matshëm i veprës së tij në tërësi, pavarësisht nga fakti se nuk ka shumë libra që na përcjellin vështrime të qarta në funksionimin e sistemeve totalitare, si romani "Kamarja e turpit" apo "Pallati i ëndrrave". Veç kësaj: me librat e tij Kadareja ka krijuar në diktaturën staliniste më të errët, të Evropës Lindore, para së gjithash për të rinjtë, hapësira të lira intelektuale. Bashkëpunimi i Ismail Kadresë me skenën letrare gjermanishtfolëse nuk ka kaluar fare pa probleme. Përpara kthesës politike në Shqipëri në fillim të viteve 90', kritika letrare e këtushme i brohoriste veprat e tij thuajse me të madhe si letërsi të madhe, e cila i linte menjëanë rregullat e ngurta të realizmit socialist. Pastaj mendimi për Kadarenë ndryshoi. Dhe thuajse të njëjtët kritikë, të cilët sapo e kishin ngritur atë në qiell, e zhvendosin atë në një afëri të supozuar me regjimin stalinist, gjë që shkon deri në krijimin e çmendur të fjalëve: "Diktatura Hoxha-Kadare".
Si përkthyes unë te Ismail Kadareja vlerësoj aftësinë e tij të disiplinës tregimtare, për krijimin e tendosjes dhe tensionit në tregim, artin e ndërrimit të ritmit, por para së gjithash gjuhën e cila është e thjeshtë, e qartë, në një farë mënyre transparente dhe e cila, megjithatë, ka aftësinë të intensifikohet për të prodhuar imazhe me fuqi dhe bukuri të jashtëzakonshme.
Shkrimtari Agron Tufa: Në këtë përvjetor të Kadaresë do të veçoj tek vepra e tij mbi të gjitha emancipimin e vetëdijes shqiptare dhe po ashtu mundësinë që i ka dhënë lexuesit që të përjetojë historinë dhe problemet ekzistenciale me të cilat ndeshet shqiptari. Unë do të veçoja në mënyrë specifike aspektin e gjërë të emancipimit të vetëdijes shqiptare nëpërmjet leximit të veprave të Kadaresë. Ismail Kadare, si asnjë shkrimtar tjetër përgjatë shekullit 20 ka arritur në mënyrë të gjithanshme, t`ia servirë, t`i krijojë një letërsi mjaft komode lexuesit shqiptarë duke ia bërë të mundshme përjetimin e historisë në rradhë të parë këtij lexuesi, problemet ekzistenciale me të cilat ndeshet shqiptari në historinë e tij individuale, sociale, në kuptimin edhe më të gjerë ideologjik.
Shkrimitari Kadare është bërë shumë i dashur, sepse me të janë rritur breza të tërë. Kontributi më kapital që mund të japë një shkrimtar shqiptar në vitet e një thatësire ideologjike ka qenë pikërisht shpikja e një gjuhe të ndryshme nga gjuha lineare, nga gjuha totalitare e klishizuar nga gjuha e thatë dhe zyrtare propogandistike e shtetit, duke e konkuruar pikërisht këtë lloj gjuhe, me një dimension krej tjetër që është gjuha artistike. Mendoj se ka një kontribut themelor kjo gjuhë, ku vjen një stad që e përgatit njeriun t`i kundërvihet sistemit, të projektojë një kënd alternativ të përjetimeve, një botë paralele, i kundërvihet me shumë sukses botës së thatë të përditshmërisë komuniste. Gjuha e Kadaresë edhe në një vepër që flet drejtpërdrejt për një realitet konkret të përditshëm, ka mjaft valvula shkarkimi që e thyen totalitetin e së përdishmes komuniste. Misioni më i madh që mund të luajë një shkrimtar është t`i kundërvihet gjuhës së shtetit me gjuhën artistike dhe kjo gjuhë artistike është e vetmja shpëtuese e vlerave shpirtërore e asaj nevoje, që e ka emergjente individualitetin në krizë. Dalja nga kriza gjithmonë në të gjitha epokat, në diktatura ka arritur të shpëtohet vetëm duke u kyçur vetëm në një rreth vlerash artistike, duke u mbyllur vetëm në një kullë të tilë për t`i shpëtuar gjuhës së demagogëve të turmës dhe çdo ligjërimi demagogjik, thotë studjuesi Tufa.
Deutsche Welle: Në këtë përvjetor Kadareja ka ardhur tek lexuesit shqiptar jo vetëm në Shqipëri; por kudo ku flitet shqip në Ballkan, Evropë apo deri në Amerikë, falë shtëpisë botuese Onufri. Kjo shtëpi ka rreth 15 vjet që e ka justifikuar pa dyshim privilegjin që ka për botimin e krijimtarisë së shkrimtarit tonë të madh. Drejtori i kësaj shtëpie Bujar Hudhri, nuk e fsheh krenarinë e këtij fati si botues i veprave të Kadaresë, përgjegjësinë, por edhe sfidat me të cilat ai përballet.
Bujar Hudhri: Ka qenë një përgjegjësi e madhe, përveçse nderim, një përgjegjësi e përhershme sepse duke qenë se shkrimtari një pjesë të madhe të kohës e jeton në Paris dhe lexuesi i tij në Shqipëri po edhe në vendet e tjera ku flitet shqip, rëndësia e botuesit në këtë rast merrte një vlerë të veçantë. Dhe kjo ishte që të ruhej sa më shumë komunikimi i drejtpërdrejtë i shkrimtarit me lexuesit e tij. Të cilët ishin rritur me dekada me veprat e tij. Unë jam i lumtur kur mendoj që me shkrimtarin tonë të madh kam botuar nga opusi i tij 70 tituj dhe në fund kemi realizuar krejt veprën e tij, kompletin e tij në 20 vëllime, i cili quhet si një botim testamentor sepse është tërë krijimtaria e Kadaresë nga fillimi deri tani. Sigurisht që edhe sfidat janë të mëdha. Sfida është, le të themi që unë më punën e botuesit të synosh që të jesh i barabartë me shkrimtarin që ti boton. Unë e di që kjo është një luftë e pabarabartë, që unë kurrë nuk mund ta fitoj, sepse kurrë nuk mund të gjendet i barabarti si Kadare në nivel botuesish. Pikërisht kjo luftë, kjo sfidë e përditshme ka pasur, ka dhe do të ketë një rezultante për mua fatlume, sepse më nxit dhe më bën çdo ditë që kurrë të mos kënaqem me punën time. Kështu që unë jam me fat që e kam Kadarenë dhe jo Kadareja mua.
Bisedën e zhvilloi Mimoza Cika- Kelmendi
Redaktoi: Aida Cama