Izraeli: Günter Grass person i padëshiruar
8 Prill 2012Pas botimit të vjershës së tij kritike ndaj Izraelit, Izraeli ia ka ndaluar nobelistit të letërsisë Günter Grassit të hyjë në vend. "Po të ketë dëshirë që të përhapë edhe më tej veprat e tij të shtrembëruara dhe të gënjeshtërta, unë propozoj që ai ta bëjë këtë nga Irani", tha ministri i Brendshëm i Izraelit, Eli Jishai të dielën. Në Iran ai do të gjejë një "publik entuziast".
Jishai tha sot (08.04.) sipas zëdhënësit të tij se vjersha e Grassi-t ka pasur për synim " që të nxisë zjarrin e urrejtjes ndaj shtetit të Izraelit dhe ndaj popullit izraelit". Në këtë mënyrë, Grassi dëshiron "të vazhdojë idenë që ka mbështetur më parë me mbajtjen e uniformës së SS-it." Ndërsa ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Liebermann, deklaroi që nga Italia, ku ndodhet për vizitë se intelektualë si Grassi janë të gatshëm "të sakrifikojnë hebrenj në altarin e antisemitizmit".
Për ndalimin e hyrjes në vend ndaj Grassit, Jishai shfrytëzoi një ligj të qeverisë, i cili u ndalon ish-nazistëve hyrjen në Izrael. Grassi ka pranuar se ka qenë në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore në radhët e ushtarëve SS.
Në vjershën e tij, Grassi kishte shkruar se Irani kërcënohet nga një goditje preventive atomike e Izraelit, goditje që mund të shuajë popullin iranian. Më tej ai shkroi se Izraeli e kërcënon paqen botërore. Kjo bëri që Grassin ta krititikojnë shumë personalitete dhe ta lidhin me antisemitizmin.
Autor: dapd/asr/kk/fokus/Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti