040610 Israel Angriff Gaza-Hilfskonvoi
4 Qershor 2010Sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm izraelit Avidgor Lieberman qeveria izraelite refuzon ngritjen e një komisioni hetimor ndërkombëtar për operacionin ushtarak në Detin Mesdhe. Por ai u shpreh për ngritjen e një komisioni hetimor izraelit, në të cilin, në rast se dëshirohet, do të mund të merrnin pjesë edhe ekspertët e huaj. Njëkohësisht shefi i diplomacisë izraelite paralajmëroi në radion shtetërore se Izraeli do të ndalojë edhe anijen "Rachel Corrie", e cila është nisur me ndihma humanitare në bord në drejtim të Gazës. Në bordin e tragetit "Rachel Corrie" ndodhen 15 aktivistë propalestinezë dhe 1.200 tonë mall, me 560 ton çimento brenda. I pyetur për protestat ndërkombëtare kundër sulmit izraelit ndaj anijes së flotës "Free Gaza", Lieberman tha:
"Unë preferoj më mirë kritika ndërkombëtare, se sa të varros ushtarë. Kjo është njëra anë. Tjetra, flota nuk i arriti brigjet e Gazës dhe asnjë anije nuk do ta bëjë këtë... Mesazhi është i qartë: Rachel Corrie nuk do të arrijë në bregdetin e Gazës."
Turqia redukton marrëdhëniet me Izraelin
Ndërkohë ministria turke e Drejtësisë po shqyrton mundësinë, nëse mund të ngrihet akuzë kundër Izraelit duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Turqia sheh në operacionin ushtarak izraelit në brigjet e Gazës një shkelje të rëndë të rregullave ndërkombëtare dhe ka thirrur ekspertë për të parë mundësinë e ngritjes së akuzës kundër Izraelit për rrëmbim, vrasje dhe dhunim lirie.
Nga ana tjetër duke folur për protestat masive turke kundër veprimeve të forcave izraelite të sigurimit ministri i Jashtëm izraelit theksoi: "Ne nuk kemi interes që të tensionojmë atmosferën dhe ne përpiqemi të mos bëjmë një gjë të tillë. Por me të vërtetë ne këtu nuk duhet të bëjmë asgjë jashtë sjelljes sonë normale, siç e shohim sot. Ne nuk kemi filluar me këtë provokim, ne nuk kemi dërguar shkaktarë të trazirave me thika dhe shkopinj hekuri në Turqi. Në këtë rast i tërë faji prej fillimit në fund bie mbi turqit. Ne nuk duhet të kërkojmë falje për asgjë, përkundrazi."
Autor: Clemens Verenkotte/Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica