Izraeli mban zi për vdekjen e Ariel Sharon-it
13 Janar 2014"Ti ishe krahërori, në të cilën prehej qetësia e sigurisë së popullit tonë", tha 90-vjeçari Shimon Peres, i cili e kishte njohur Sharon-in qysh kur ishte student i ri. Në ceremoninë e përmortshme morën pjesë edhe politikanë të shumtë të huaj si nënpresidenti amerikan Joe Bidden. Gjermania u përfaqësua nga ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier. Në ceremoni morën pjesë delegacionet e më shumë se 20 vendeve.
Sharon urrehet ende në botën arabe
Sharon lindi në vitin 1928 me emrin Ariel Sheinermann në afërsi të Tel Aviv. Prindërit e tij ishin hebrej nga Europa Lindore, të cilët mbiemrin e familjes e ndryshuan duke zgjedhur si mbiemër Sharon, sipas luginës me të njëjtin emër. Jeta e Sharonit është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit të Izraelit. Në luftën e pavarësisë në vitin 1948 ai luftoi si prijës i një brigade infanterie kundër trupave arabe. Në vitin 1953 ai krijoi një njësi speciale për sulmet e hakmarrjes pas atentateve të luftëtarëve palestinezë. Në luftën e Jom-Kippur-it në 1973 kalimi i guximshëm i tij me një njësi tankesh në kanalin e Suezit - gjë që me sa duket e ka kryer me kokën e vet - ndihmoi në fitoren e izraelit ndaj Egjiptit.
Ai urrehet ende nga palestinezët dhe bota arabe sepse si komandant i veprimeve ndëshkuese ushtarake dhe iniciator i marshimit të ushtrisë izraelite në Liban në vitin 1982, bëhet përgjegjës për vdekjen e shumë civilëve.
"Një themelues i shtetit të Izraelit"
Kryeministri Benjamin Netanjahu e vlerësoi Sharon-in si një nga baballarët që ngritën themelet e shtetit të Izraelit. I ndjeri ishte "një nga luftëtarët më të mëdhenj të popullit të Izraelit dhe ushtrisë izraelite", tha Netanyahu në ceremoninë e përmortshme. Megjithatë ne nuk kemi qenë gjithmonë të një mendimi, u shpreh kryeministri për ish-rivalin e tij brenda partisë së krahut të djathtë Likud. Ndërkaq nënpresidenti amerikan Bidden në një fjalim të shkurtër e quajti Sharon-in si një personalitet jashtëzakonisht të fortë. Siguria e shtetit të Izraelit dhe popullit hebre ishin ylli që i ndriçonte atij rrugën.
Më 4 janar 2006 kryeministri Sharon pësoi një apopleksi. Që nga ajo kohë ai ndodhej në gjendje kome. Të shtunën, më 11.01.2014 Ariel Sharon ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare.