Izraeli liron të burgosur palestinezë
12 Gusht 2013Qeveria izraelite ka publikuar një listë me emrat e 26 të burgosurve palestinezë të cilët lirohen para ditës së mërkurë (14.08) kur fillojnë negociatat e reja për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve. Komisioni ministror përkatës i qeverisë izraelite miratoi të dielën në mbrëmje vendimin për lirimin e tyre si një "xhest të vullnetit të mirë". Tani familjet e viktimave kanë 48 orë kohë për të apeluar kundër këtij vendimi në Gjykatën e Lartë. 20 nga këta të liruar ishin dënuar për vrasje ose si bashkëautorë në vrasje, bën të ditur zyra e kryministrit izraelit Benjamin Netanjahu. 48 orë më vonë ata duhet të lirohen. 14 prej tyre do të sillen në Rripin e Gazës, 12 në Bregun e Jordanit Perëndimor, bën të ditur më tej qeveria. 26 palestinezët janë grupi i parë nga gjithësej 104 palestinezët e dënuar me burg. Pas grupit të parë, 78 të burgosurit e mbetur do të lirohen gjatë nëntë muajve të ardhshëm nëse bisedimet për paqe do të vazhdojnë.
Ky vendim erdhi si pasojë e një marrëveshjeje që ka si synim nxitjen e vazhdimit të dialogut për paqe nga SHBA-të. Izraeli dhe autoritetit autonom palestinez kishin rënë dakord para dy javësh nën ndërmjetësimin e SHBA-ve që të rinisnin bisedimet për paqe përsëri pas një periudhë ngrirjeje prej tre vjetësh. Qëllimi i këtyre bisedimeve është arritja e një marrëveshjeje me një zgjidhje dy shtetesh brënda nëntë muajsh. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle siguroi gjatë një vizite në Izrael dhe në Ramallah mbështetjen gjermane për procesin e paqes në këtë rajon. Westerwelle u shpreh optimist për fillimin e këtyre bisedimeve.