280109 israel gegenschlag
28 Janar 2009Një mision i vështirë e pret edhe të dërguarin e posaçëm amerikan, George Mitchel, i cili ndërkohë ndodhet në rajonin e krizës. Pas takimit mes presidentin e Egjiptit Hosni Mubarak, Mitchell do të zhvillojë bisedime edhe me palën izraelite dhe autoritetet palestineze.
Aviacioni luftarak izraelit ka sulmuar natën e së mërkurës tunelet në kufirin mes Egjiptit dhe Rafahut, në jug të Rripit të Gazës. Një zëdhënës i ushtrisë, konfirmoi të mërkurën sulmin izraelit. Ky ishte reagimi pas atentatit me bombë ndaj një patrulle ushtarake ditën e martë, ku humbi jetën një ushtar izraelit dhe u plagosën tre të tjerë. Banorët në Rafah i kishin braktisur shtëpitë gjatë bombardiemve, njoftuan dëshmimtarë okularë palestinezë si edhe Hamasi.
Kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert kumtoi pak orë para mbërritjes së të ngarkuarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara George Mitchell, ardhjen e përgjigjes së forcave të armatosura ndaj sulmit të militantëve palestinezë. Siç njoftojnë mediat izraelite, Mitchell do të takojë të mërkurën qeveritarë izraelitë të nivelit të lartë, ku pritet të bëjë të ditur përpjekjet e qeverisë amerikane për stabilizimin e armëpushimit. Në të njëjtën kohë Uashingtoni do të përqëndrohet në rindërtimin e Rripit të Gazës si edhe ndalimin e trafikimit të armëve.
Kryeministri Olmert u tregua optimist se presidenti i ri amerikan, Barack Obama nuk do të bëjnë presion ndaj Izraelit. "E di se kur ai dërgon të dërguarin e tij, nuk bëhet fjalë për t'u grindur me ne, por që së bashku në atë mënyrë miqësore që karakerizon marrëdhëniet mes dy shteteve tona, të kërkojmë një mundësi që ndihmon të dyja palët, pra tok me palestinezët të biem në një ujdi, që na lejon përfundimisht të arrijmë një marrëveshje që e duan si ata, ashtu edhe ne."
George Mitchell, ish-senator amerikan nuk është një politikan i panjohur në rajon. Pas shpërthimit të kryengritjes së dytë të palestinezëve, në vjeshtën e vitit 2000, Mitchell përgatiti një analizë për presidentin e atëhershëm, Bill Clinton, ku shpjegonte arsyet pse rishpërtheu dhuna mes izraelitëve dhe palestinezëve. Para një muaji, gjatë një vizite në rajonin e krizës, Mitchell bëri të ditur, se politika që do të ndjekë presidenti i ri në Lindjen e Mesme ka për të ndryshuar dukshëm nga ajo e paraardhësit të tij. "Besoj se një nga gabimet më të mëdha të viteve të fundit ka qenë fokusimi i tepruar në Irak dhe lënia mënjanë e konfliktit izraelito-palestinez. Besoj se nën udhëheqjen e re amerikane, kjo ka për të ndryshuar."
Presidenti palestinez, Mahmud Abas ka deklaruar para takimit me të ngarkuarin e posaçëm, Mitchell se ofensiva e Izraelit kundër Rripit të Gazës dëshmon, se ky vend nuk ka qëllim të vendosë paqen me palestinezët.
(LA/ACA)